Berisha: Me Edi Ramën në PS, kjo qeveri do jetë në pushtet edhe në 2017-ën

Shefi i mazhorancës: Marrëveshja e koalicionit PD-LSI, përfshin edhe zgjedhjen e Presidentit – ultimatumet e Ramës, kurthe meskine
“Përgatitu se me këtë politikë që ndjek, edhe në vitin 2017 do të kesh po këtë qeveri”. Ky ishte paralajmërimi që kryeministri Sali Berisha i përcolli sot kreut të opozitës, Edi Rama nisur nga shpalosja e platformës destruktive nga ky i fundit, që synon të bllokojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, të mbajë peng reformat dhe të zvarrisë statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë takimit të përjavshëm me grupin parlamentar demokrat, shefi i ekzekutivit u ndal në një analizë të gjatë tek situata politike në vend, ku shpreh zotimin e mazhorancës, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në përputhje me Kushtetutën si dhe realizimin e reformës zgjedhore e asaj parlamentare në kohën më të shpejtë. Berisha sqaroi gjithashtu se konsultimet brenda mazhorancës (të cilat u realizuan javën e kaluar), shërbyen për unifikimin e qëndrimeve politike dhe zbatimin e marrëveshjes së 2009-ës me aleatët, që përcakton qartë rregullat kushtetuese të zgjedhjes së Presidentit. Gjithashtu, kryeministri Berisha e cilësoi ultimatumin e Edi Ramës prej katër pikash, si tendencë për bllokimin e “Presidentit” dhe kurthe meskine për të rrëzuar qeverinë. “Ofertat ime dhe e koalicionit qeverisës është shumë e sinqertë dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në negociatat më serioze dhe jo në kurthe meskine si këto dhe ultimatume, vetëm e vetëm për të bllokuar. Ke tre vjet që i mban me injeksione ata që të rrethojnë, se do e rrëzojmë sot e do e rrëzojmë nesër këtë qeveri, përgatitu se me këtë politikë që ndjek, edhe në vitin 2017 do të kesh po këtë qeveri. Ti këmbëngul të takohemi për të diskutuar për çështjen e elektronikës në zgjedhje. Ti nuk i ke gjërat me mua, por zgjidhe me ODIHR këtë çështje. Unë të kam thënë “po”, për hir të kompromisit, por del një faktor tjetër që thotë; jo, nuk është standard ky, pasi nuk jeni të përgatitur për këtë gjë, e kështu me radhë. Ju garantoj se do të bëjmë përpjekjet më serioze dhe se dëshira dhe vullneti ynë është i hekurt që të paraqesim kandidat që ditën e mërkurë dhe ta votojmë atë në mënyrën më të gjerë, më të fuqishme të mundshme. Ky vend ka një praktikë, ky vend ka një ecuri, ka një potencial të plotë që mund ta bëjë këtë”- u shpreh Berisha.
...