E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Presidenti konsensual nuk mund të bëhet me ultimatume e kurthe

28-05-2012 / Gazeta 55

Dështon takimi i parë në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare të PD e PS


Partia Socialiste është pozicionuar zyrtarisht kundër zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Paralajmërimet e Edi Ramës gjatë ditëve të fundit se PS s’do bëhet pjesë e dialogut të nisur fillimisht brenda mazhorancës, u ekspozuan dje në rrugë zyrtare, nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe shoqëruesi i tij Sajmir Tahiri. Në takimin e thërritur nga negociatori demokrat, Astrit Patozi dhe i shoqëruar nga deputeti Edmond Spaho, socialistët shpalosën platformën e kurtheve dhe shantazheve. Ruçi shfrytëzoi takimin në ambientet e kryesisë së Kuvendit, për të adresuar kushtet e selisë rozë, të cilat kanë të bëjnë me katër çështje që janë në diskutim e sipër, siç është reforma zgjedhore, ajo parlamentare, heqja e imunitetit dhe miratimi i një presidenti të gjithë pranuar. Tre tematikat e para janë në rrugën e konkludimit, ndonëse po të ishte treguar më serioze dhe konstruktive opozita e Edi Ramës, sot do kishim një Kod të ri Zgjedhor, një rregullore parlamenti si ajo e Parlamentit Evropian dhe zyrtarë pa imunitet. Kërkesa këto që, konsiderohen nga Brukseli si tematikat kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.  Krejt rastësisht dhe papritur, opozita shantazhon mazhorancën se zgjedhja e presidentit duhet të kalojë pikërisht në të njëjtin ulluk me 3 reformat në fjalë, të cilat janë drejt kompletimit. Nga ana tjetër, Partia Demokratike edhe pse ka deklaruar që është e hapur për dialog është shprehur se presidenti konsensuale nuk mund të arrihet përmes ultimatumeve. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi e ka quajtur takimin e djeshëm të dështuar, pasi sipas tij pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën bllokuese të Edi Ramës duke kërkuar të lidhë të palidhshmen, çka nënkupton lidhjen e reformave me presidentin. “Ne kishim shkuar në tryezë me mandatin e kryesisë të Partisë Demokratike për të negociuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës ndërkohë që pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e editorialit të kryetarit të partisë së tyre Edi Rama e cila është një platformë bllokuese për ta futur në rrugë pa krye procesin dhe për të lidhur të palidhshmen. U përpoqëm t’i shpjegojmë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që Partia Demokratike si forca kryesore e mazhorancës është futur në këtë proces jo për të ndjekur rrugën e shkurtër pasi rrugën e shkurtër ne e kemi, këtë na e lejon marrëveshja e arritur me aleatët tanë që në vitin 2009 po ashtu dhe ndryshimet kushtetuese që bashkërisht i kemi vendosur në vitin 2008 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste”, u shpreh Patozi. Ai shprehu angazhimin e mazhorancës për t’i dhënë vendit një president konsensual, por që sipas tij kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet ultimatumeve. “Por ne kemi hyrë në këtë proces për ti dhënë vendit një President sa më gjithëpërfshirës dhe sa më konsensual duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë. Por ndërkohë u kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që në rast se edhe ata do të kenë të njëjtin intension si ne është plotësisht e mundur që ne të arrijmë në një produkt dinjiotoz. Pra, një President sa më konsensual. Por në rast se ata kanë intensione të tjera për të rrëzuar qeverinë dhe gjëra të kësaj natyre siç i ka paralajmëruar edhe Rama në editorialin e tij sigurisht ky është një mision tërësisht i dështuar. Kam një shije të keqe nga ky takim por gjithsesi rezervohem të them fjalën e fundit sepse kjo mazhorancë, Partia Demokratike mandatin e së cilës unë përfaqësoj ka prirjen që edhe pas kësaj të papriture që ndodhi të mbajmë portën e dialogut hapur me shpresën që ne ende kemi mundësi për ti dhënë vendit një president sa më konsensual. Por sigurisht kjo nuk mund të bëhet as përmes ultimatumeve e as përmes kurtheve ballkanike tipike për editorialin e Edi Ramës”, theksoi negociatori i PD-së, Astrit Patozi. Kreu i grupit kuvendor demokrat, u shoqërua në këtë takim nga deputeti Edmond Spaho, ndërsa kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi shoqërohej nga Saimir Tahiri. Dy ditë më parë, kreu i grupit të PD-së i dërgoi një letër zyrtare homologut të tij, socialist Ruçi, ku i bënte me dije, kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi se kryesia e PD-së kishte mandatuar pikërisht Patozin dhe Spahon si negociatorë për t’u konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Ndërsa kanë mbetur edhe 3 ditë, nga raundi i parë i përcaktuar për të votuar Presidentin e ri, palët ende nuk kanë paraqitur një emër kandidati. Të premten, kryeministri Berisha u takua me kreun e LSI-së, Ilir Meta, me kreun e PR-së, Fatmir Mediu, me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ndërsa për takimin me Ramën mandatoi Patozin e Spahon. Kryeministri Berisha ka deklaruar pas takimeve se është i hapur për bisedime, edhe pse ka përsëritur nga ana tjetër se PD do t’i japë këtij procesi një emër që vjen pikërisht nga figurat e PD-së, por pa përjashtuar një kandidat të dalë nga negociatat. Ndërkohë, të mërkurën e 30 majit është caktuar raundi i parë i votimit për Presidentin e ri.


Astrit Patozi


“Ne kishim shkuar në tryezë me mandatin e kryesisë të Partisë Demokratike për të negociuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës ndërkohë që pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e Editorialit të kryetarit të partisë së tyre z. Edi Rama e cila është një platformë bllokuese për ta futur në rrugë pa krye procesin dhe për të lidhur të palidhshmen. U përpoqëm t’i shpjegojmë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që Partia Demokratike si forca kryesore e mazhorancës është futur në këtë proces jo për të ndjekur rrugën e shkurtër pasi rrugën e shkurtër ne e kemi, këtë na e lejon marrëveshja e arritur me aleatët tanë që në vitin 2009 po ashtu dhe ndryshimet kushtetuese që bashkërisht i kemi vendosur në vitin 2008 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste”.


Gramoz Ruçi


“Gjatë këtij takimi nuk është arritur asnjë konsensus për sa i takon çështjes së Presidentit, por opozita i ka propozuar mazhorancës disa kushte të cilat të finalizohen në tryezën e të gjithë krerëve të partive parlamentare. Duke shpresuar në maturinë dhe qetësinë e mazhorancës se do të vlerësojë këtë propozim të opozitës, qëllimi i këtij propozimi është që t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve statusin kandidat të munguar, për të plotësuar këto rekomandime dhe kushte që ne të mos ngelemi sërish në klasë për në BE, PS i propozoi PD-së finalizimin e 4 çështjeve”.


Kushtet e vendosura nga PS


1.    Të finalizohet dhe të miratohet reforma zgjedhore


2.    Të finalizohet dhe të miratohet reforma parlamentare


3.    Të finalizojë dhe të miratojë formulën dhe pastaj ajo të ndjekë ndryshimet kushtetuese për heqjen e të gjithë imuniteteve


4.    Të finalizojë dhe të miratojë një proces që të miratojë një president të gjithë pranuar.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›