Berisha: Me Metën ramë dakord për një president sa më konsensual

Ilir Meta - Sali Berisha
Menjëherë pas përfundimit të takimit me kreun e LSI-së, kryeministri Berisha u shpreh se të dy palët kanë rënë dakord për zgjedhjen e një presidenti sa më konsensual.
Për këtë, Berisha ka ftuar kryetarin e PS-së, Rama, të mandatojë dy bashkëpunëtorë për të nisur negociatat.
Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI-së, që është aleatja kryesore e PD-së në koalicion. U ra plotësisht dakord që të bëhet çdo përpjekje, në mënyrë që presidenti i republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm.
U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale, u ra dakord që të vazhdojmë takime intensive të vazhdueshme. Do bëhet gjithçka. Jua them me qartësinë më të madhe se vullneti i kësaj mazhorance, dhe unë do vazhdoj konsultimet, vullneti është që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitozë, kandidatë që mund të nderojnë vendin në detyrën e tij, tha Berisha pas takimit me Metën.
Takimi Berisha Meta nisi në orën 13:00 në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe zgjati rreth 30-40 minuta. Kryeministri Berisha u shoqërua në takim nga dy anëtarët e tjerë të Kryesisë, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho.
* * *
PD nis sot negociatat për presidentin
Partia Demokratike nis sot negociatat me krerët e partive parlamentare per zgjedhjen e presidentit të ri.
Në krye të ekipit negociues do të jetë vetë kryetari Berisha, i cili ndiqet nga nënkryetari Patozi dhe Edmond Spaho.
Negociatat nisin me kreun e LSI-së, Ilir Meta, me të cilin kryeministri u takua në mesditë (rreth orës 13:00), në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Ndërkohë, po sot, kreu i ekipit negociator të PD-së, Sali Berisha, do të takohet (rreth orës 15:30) me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi.
Në mbledhjen e mbrëmjes së djeshme, kryesia e Partisë Demokratike mandatoi kryeministrin Berisha dhe dy personalitete të tjera për fillimin e negociatave me partitë e tjera.
Berisha ka theksuar se do të ketë negociata, në të cilat do të përfshihet edhe opozita. Nisur nga marrëveshjet e së kaluarës me liderët e të majtës, kryeministri i cilësoi si të suksesshme ato me Nanon, ndërsa tërësisht të dështuara ato me Ramën.
Do bëhen negociata të ndershme duke e përfshirë edhe opozitën. Këto negociata janë dëshmi dhe detyrim politik për qytetarët. Kjo maxhorancë i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë vendin me President. Zgjedhja e Presidentit është proces i negociueshëm me të gjitha palët politike. Me drejtuesit kryesorë të PS kam dy praktika. Me Nanon kam bërë disa marrëveshje direkte të firmosura dhe të mbajtura. Me Ramën kam patur bashkëpunim para 2009-s, jo në tryezë si më parë, por përmes ekipeve. Tentativa me Ramën ishte dështim. Unë i qëndroj tezës për negociata. Negociatat duhet të fillojnë në selinë e Parlamentit. Të caktojmë kryetarin dhe 2 personalitete të kryesisë për negociatat. Kushtetuta është e qartë për zgjedhjen e presidentit, tha ai.
Konferenca e Kryetarëve ka vendosur sot datën 30 maj, si raundin e parë të votimit për presidentin.
Në bazë të Kushtetutës, kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në njërin nga pesë raundet që do të përcaktohen. Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar votash, e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita.
Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde të tjera, në të cilat kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me 71 vota. /E.L/