Sulmon fqinjin me granatë, arrestohet

Granatë / foto arkiv
GRAMSH- Arrestohet në flagrance pasi hodhi granatë në shtëpinë e fqinjit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat ku Bafti Ahmati ka shkuar në banesën e bashkëfshatarit V.Cenkolli dhe ka hedhur një granatë e cila nuk ka shpërthyer plotwsisht. Pasi ka parë që shpërthimi nuk ka shkaktuar dëme, Ahmati ka tentuar sërish të hedhë një tjetër granatë por është neutralizuar nga banorët.
Më vonë ai është vënë në prangat e policisë dhe i janë sekuestruar një sasi lëndësh eksplozive. Sipas të dhënave të para të hetimit ka pasur një konflikt pronash me personin e sulmuar duke qenë se në tokën e autorit kalonte tubacioni i ujit të pijshëm i të dëmtuarit.
Konflikti është ashpërsuar dhe autori i ka prerë tubacionin e ujit dhe ka shkuar tek banesa ku edhe ka hedhur granatën.
Nga kontrolli i banesës së autorit u gjetën dhe u sekuestruan 2 kallëpe tritol, 6 granata mbrojtëse, 450 copë fishekë automatiku.
Autori i kësaj ngjarjes do të akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme. /B.Nergjoni/