E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Raporti i DASH, tronditës. Konfirmoi që në Shqipëri nuk ka demokraci

Share

Partia Socialiste ka reaguar me anë të deputetit Ditmir Bushati, në lidhje me raportin e publikuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Bushati ka deklaruar se raporti i DASH-it pasqyron realitetin në Shqipëri, ndërsa theksoi se raporti i Departamentit të Shtetit shprehu edhe njëherë shqetësimin e opozitës për mungesën e demokracisë në vend.

Bushati ka theksuar se gjetjet që përmban raporti janë të shumta dhe tronditëse dhe sipas tij është e vështirë të gjesh në këtë skaner të ofruar qoftë edhe një fushë të vetme që do ta bënte vendin tonë të konsiderohej një demokraci funksionale siç i ka hije një shteti anëtar të NATO-s që aspiron anëtarësimin në në Bashkimin Europian.

Niveli i përhapur i korrupsionit dhe çimentimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhuna dhe shpërfillja e ligjit nga policia dhe forcat e sigurisë siç është rasti tragjik i 21 janarit, pengimi i hetimeve për këtë çështje, minimi i të drejtës së qytetarëve për të vendosur me votë për fatet e tyre, cenimi i lirisë së medias dhe gjendja dëshpëruese e sistemit të drejtësisë, të bëjnë të mendosh se ky raport nuk flet për një vend në mes të Europës, por për një qeveri që po mban peng aspiratën europiane të shqiptarëve shtoi ai.
Ai ka theksuar se kryeministri Berisha refuzon reformën zgjedhore edhe pse Raporti i Departamentit të Shtetit thotë qartë se në Shqipëri nën qeverisjen e tij është minuar e drejta më themelore që gëzojnë qytetarët në një sistem demokratik, e drejta e votës.

Është Sali Berisha që mban përgjegjësi për faktin që korrupsioni mbetet një problem shumë serioz, që politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese vijon të kërcënojë pavarësinë, besueshmërinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë, që zyrtarët e policisë vendosin lidhjet kriminale dhe politike mbi sundimin e ligjit. Dhe padyshim që është po Sali Berisha arsyeja përse Shqipëria merr një notë jo kaluese kur vjen puna tek liria e shprehjes dhe e medias, si pasojë e shantazheve, kërcënimeve, dhunës mafioze të ushtruar ndaj gazetarëve veçanërisht gjatë dhe pas protestës së 21 janarit dhe mos hetimin e gjykimin e individëve që kanë ushtruar dhunë e presion ndaj tyre. Gjetjet e këtij raporti konfirmojnë shqetësimet e ngritura në vijimësi nga Partia Socialiste dhe opozita në tërësi në lidhje me gjendjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri shtoi më tej Bushati.

Sipas tij, Partia Socialiste është e angazhuar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe ky do të jetë edhe hapi i parë i saj për të luftuar korrupsionin në vend.

Partia Socialiste angazhohet për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucioni i votës së lirë e të ndershme dhe sundimi i së drejtës. Angazhimi ynë për të kufizuar apo hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare do të jetë veç hapi i parë në luftën kundër korrupsionit dhe çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë. Si një forcë demokratike me vizion të qartë euro-atlantik, PS në qeverisje të vendit angazhohet se do t`i japë fund të gjitha formave të cenimit të lirisë së tubimit dhe të shprehjes së qytetarëve, të diskriminimit përballë ligjit për motive politike e ekonomike, apo të presioneve mbi qytetarët dhe median, që sot, pas 7 vjetësh qeverisje të Sali Berishës e kanë shndërruar Shqipërinë në një demokraci jo funksionale , tha Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›