Berisha: Më shumë pedagogë për studentët
Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit që në bashkëpunim me rektorët e universiteteve të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, duke përcaktuar kritere të reja për sa i përket raportit student-pedagog. Gjithashtu, kreu i Ekzekutivit u shpreh dje se reforma në botën akademike e shkencore duhet të thellohet, duke theksuar se kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve. Berisha u fokusua edhe në një tjetër çështje, atë të vlerësimit të universiteteve shqiptare. Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës, ta mbyllin sa më parë procesin e akreditimit dhe më pas të listimit të universiteteve, sipas cilësisë që ato ofrojnë. Ai ka pohuar edhe faktin se pritet një tjetër ndryshim në mënyrën e financimit të universiteteve. Kjo ka qenë edhe një çështje mjaft e debatuar mes përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit, menjëherë pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë. “Një grup pune serioz po punon me intensitet për të përcaktuar një mënyrë të re financimi të universiteteve të vendit. Autonomia e tyre është thelluar në mënyrë të ndjeshme. Të ardhurat që ato realizojnë janë të gjitha të disponueshme prej tyre”, tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.
Student-pedagogKryeministri ngriti çështjen e raportit student-pedagog, i cili duhet të ndryshohet, pas rritjes së vazhdueshme të numrit të studentëve. “Ka disa probleme që kërkojnë ndërhyrje urgjente, probleme të krijuara para së gjithash nga rritja me shpejtësi të madhe e numrit të studentëve. Në qoftë se studentët në fakultet janë trefishuar, pedagogët në universitet ende nuk janë dyfishuar. Ky përbën një kërcënim serioz për cilësinë e tyre. Raporti student-pedagog, në tërësi, është absolutisht i papranueshëm. Ai raport ka qenë deficitar edhe 4 vjet më parë, mendoni se si është bërë ai tani”, tha Berisha.
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që në bashkëpunim me rektorët e universiteteve të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, duke përcaktuar kritere të reja bazuar në standardet e vendeve anëtare të OECD. “Zoti ministër, bashkë me rektorë të universiteteve, do të bëhen të gjitha ndryshimet në aktet ligjore e nënligjore, në mënyrë që universitet tona të përcaktojnë kritere të reja, të përzgjedhin mesataren e tyre, të shohin vendet e OECD. Nuk po përcaktoj këtu se sa duhet të jetë raporti i stafit pedagogjik me studentët, por ka një raport që varion nga 10 te 25, tek universitetet publike. Nuk mund të jemi te 25, as nuk mund të zbresim në 10, se nuk zbresim dot, mirëpo kur sheh sot me mijëra shqiptarë që diplomohen shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, themi se vendi i tyre është në universitetet e vendit, ndaj dhe nuk duhet të ngurrojmë”, vijoi kreu i qeverisë.
Reforma shkencoreKryeministri Berisha u ndal edhe në reformën e fushës akademike dhe shkencore të vendit. Ai theksoi se kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve. “Në qoftë se shkenca dhe kërkimi shkencor kanë një armik të lindur, ai është centralizmi dhe politikat centraliste. Ato, jo vetëm që nuk e ndihmojnë kërkimin shkencor, por i zënë frymën dhe i shkretojnë tërësisht hapësirën. Kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve. Detyra jonë është t’u japim atyre fondet. Ne kontrollojmë se cila është eficenca e përdorimit të këtyre fondeve, por përzgjedhjen e projekteve për financim duhet ta kenë detyrimisht këshillat shkencore të fakulteteve. Kjo është themelore, që ne të realizojmë qëllimin e reformës.
VlerësimiGjithashtu, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës të bëjnë sa më parë reitingun (vlerësimin) e universiteteve. është jashtëzakonisht e rëndësishme, vijoi Kryeministri, që qytetarët shqiptarë të kenë reitingun e universiteteve të vendit, private dhe publike, në mënyrë që ta dinë se ku studion fëmija i tyre. Mundësisht të kontratohet sa më shpejt një prej kompanive më serioze në botë që të bëjë reitingun (vlerësimin) e universiteteve.
#