Moratinos: Në veri të Kosovës të rivendoset stabiliteti
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, u takua në Madrid me kolegun e tij spanjoll, Miguel Angel Moratinos, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe, situatën në Kosovë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Të dy ministrat vlerësuan bashkërisht, se kur është fjala për Kosovën dhe duke pasur parasysh se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shqyrton çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së njëanshme, është e domosdoshme të insistohet në respektimin e të drejtës ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e Ministrisë spanjolle të Punëve të Jashtme. Moratinos tha se Spanja, e cila deri në qershor kryeson Këshillin e BE-së, dëshiron të bashkëpunojë me autoritetet kosovare në fushat që janë të rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve, siç janë policia dhe doganat. Ministri spanjoll tha se në veri të Kosovës duhet të rivendoset stabiliteti dhe është e nevojshme bashkëpunimi i të gjitha palëve, për të ndërtuar shoqërinë multietnike të bazuar në tolerancë dhe respekt. Moratinos shfrytëzoi rastin që nga Serbia të kërkojë ndihmë në procesin e stabilizimit në BeH, në mënyrë që ky vend të vazhdojë të lëvizë drejt integrimeve europiane, thuhet në deklaratë.
#