Sulmohet grupi Blushi, tension dhe replika mes deputetëve të PS
Vendimi për të hyrë në Parlament në seancën e pasdites së sotme ka kaluar përmes debateve mes deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe dhe pjesës tjetër të grupit parlamentar, mbështetës të idesë së bojkotit dhe protestave. Replikat publike dhe mediatike mes tyre, të bëra gjatë muajve të fundit, janë pasqyruar bindshëm në mbledhjen e grupit. Një pjesë e mirë e deputetëve të grupit parlamentar kanë ndërprerë disa herë fjalën e deputetit Blushi. Burime nga mbledhja bënë me dije se fjala e zgjatur e Blushit ka sjellë reagimin e deputetit të Vlorës Fatmir Toçi. Pas kësaj janë shtuar edhe zëra të tjerë, si Besnik Baraj, Gjokë Jaku, Eduard Shalsi etj., por Blushi ka kthyer përgjigje duke ironizuar se ata që ndërhynë e kanë lejen e fjalës nga kryetari Rama. Kreu socialist ka ndërhyrë duke u shprehur se nuk do të lejojë njeri që të fyejë kolegët deputetë. “Unë ia jap fjalën kujt dua, njerëz që flasin nga brenda dhe jashtë nuk dua, këtu e jap fjalën unë”, mësohet të jetë shprehur Rama. Gjatë debatit është vënë re edhe një kërkesë e deputetit Arben Malaj, i cili ka kërkuar qartësim të hapave që duhet të hedhë grupi parlamentar. Ai kërkoi që vendimmarrja e partisë të jetë institucionale, pra nëpërmjet kryesisë së saj. Ndër të tjera, ai kërkoi që të organizohet grupi parlamentar, duke zgjedhur kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin. Por njëkohësisht kërkoi edhe caktimin e anëtarëve të PS-së në komisionet parlamentare dhe në delegacionet jashtë vendit. “Në Parlament të shkojmë jo thjesht për të hyrë e për të dalë, por edhe për të sqaruar disa hapa. Hyrjet dhe daljet na e vështirësojnë më shumë kthimin e mëvonshëm në Parlament. Të hyjmë në Kuvend dhe të kushtëzojmë reformat me hetimin e zgjedhjeve”, tha ai. Ndërsa deputeti Ben Blushi përshëndeti vendimin e grupit, edhe pse e cilësoi atë të vonuar. “Ishte mbledhje e presionuar, me shumë provokime. Por do ishte qesharake që të hyjmë dhe të dalim. Vendimi i grupit ishte që të hyhet në Parlament, të dorëzohet një nismë ligjore dhe të dilet. Besoj se ne do hyjmë dhe do dalim. Ne jemi pjesë e PS-së për sa kohë s’na kanë përjashtuar. Jemi munduar këta 6 muaj që të bindim kolegët, besoj se shumica e PS-së dhe opinionit publik na japin të drejtë. Ne nuk arritëm dot të hapim kutitë, as të shkaktojmë zgjedhje dhe as të sensibilizojmë ndërkombëtarët”, tha Blushi. Duke marrë shkas nga rritja e toneve dhe batutat që kanë shpërthyer mes deputetëve, vazhdimi i mbledhjes së grupit parlamentar është bërë i pamundur. Kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ka marrë përsipër të prezantojë planin e deputetëve për seancën e sotme, por është tërhequr, duke e lënë fjalën në mes. Pas një përpjekjeje për të rifilluar, gjithçka është mbyllur vetëm pak më shumë se një orë që kur nisi mbledhja.
#