E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Meta "fluturojnë" drejt Nju Jorkut

Pas konstituimit të qeverisë së re, Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, janë nisur drejt Nju Jorkut. Delegacioni shqiptar do të marrë pjesë në hapjen e punimeve të sesionit të 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, drejtuesit e lartë të delegacionit shqiptar, Berisha dhe Meta, do të marrin pjesë në një sërë takimesh të rëndësishme shumëpalëshe si Forumi i Udhëheqësve për Ndryshimet Klimaterike, Takimi Vjetor i Udhëheqësve nga Ballkani, Takimi A5 në kuadrin e Kartës së Adriatikut, Takimi Vjetor i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, Takimi Vjetor i Aleancës së Civilizimeve, Takimi i vendeve të Komunitetit të Demokracive, etj. Kjo është vizita e parë që Sali Berisha dhe Ilir Meta bëjnë bashkë si drejtues të lartë të qeverisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, prej më se një muaji bëjnë pjesë në të njëjtin koalicion qeverisës. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit u pa se rezultati paraprak nuk mundi t‘i jepte asnjërës forcë politike mazhorancën e duhur për të krijuar qeverinë. Duke llogaritur numrat rezultoi se PD-ja dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kishin shanset më të mëdha për të krijuar qeverinë. Rast që padyshim Berisha nuk e humbi për asnjë moment ndaj publikisht i bëri ftesë kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, që të bashkëqeveriste me të djathtët. Thirrja u pranua nga drejtuesit e LSI-së dhe pas një muaji nga data e zgjedhjeve nisën negociatat mes Berishës dhe Metës për të ndarë nivelin e përfaqësimit të LSI-së në qeveri. Pas gjetjes së gjuhës për të bashkëqeverisur, megjithëse ishin dy forca të kraheve të ndryshme politike, Berisha dhe Meta gjetën edhe gjuhën për ndarjen e posteve qeveritare. Nga marrëveshja, LSI-ja u përfaqësua në qeveri me postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, që mbahet nga kryetari i partisë, Ilir Meta. Posti i dytë ishte ai i ministrit të Ekonomisë, ku titullar është deputeti Dritan Prifti, posti i ministrit të Shëndetësisë, ku drejtohet nga Petrit Vasili dhe postin i nënkryetarit të Kuvendit me Nasip Naçon. Pas dekretimit të qeverisë së re, tashmë Berisha dhe Meta, njëri si Kryeministër dhe tjetri si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm kanë nisur aktivitetin politik për drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme. Aktiviteti ka filluar me vizitën e rëndësishme në SHBA, por që shumë shpejt pritet të pasohet edhe me takime të tjera, të cilat kanë rëndësinë e tyre, sidomos në interes të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në BE, sipas Berishës dhe Metës, ka qenë emëruesi i përbashkët i gjetjes së gjuhës së bashkëpunimit mes PD-së dhe LSI-së. Kjo sepse vazhdimisht Berisha ka premtuar se kryefjala e programit të tij është realizimi i reformave për integrimin e vendit. Edhe kryetari i LSI-së Meta ka deklaruar si gjatë negociatave por edhe pas marrëveshjes me PD-në se pranoi bashkëpunimin, pasi programi kishte pika të përbashkëta për sa i takon integrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›