Topi dhe Topalli, takime në Mal të Zi dhe Hungari
Me mbarimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe konfirmimit të mazhorancës sërish në pushtet, politika shqiptare ka nisur sesionin e ri politik me takime intensive ndërkombëtare, të cilat janë në vijimësi të punës së nisur për katër vjet nga zyrtarët e lartë të shtetit. I pari që ka hapur siparin e takimeve ndërkombëtare me çeljen e sesionit të ri politik ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja, ka realizuar një vizitë dyditore në shtetin fqinj, Malin e Zi. Gjatë takimit, Presidenti Topi zhvilloi takime me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Pjesë e axhendës së Presidentit Topi kanë qenë edhe takimet me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, politikanë, parlamentarë dhe drejtues të pushtetit lokal. Gjatë takimit, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke vënë theksin te fakti se vendi ynë tashmë po ecën me hapa të shpejtë e të sigurt në përmbushjen e plotë të standardeve integruese në familjen e madhe europiane. Pas Presidentit Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar takimin e parë në Hungari për këtë sesion të ri parlamentar. Topalli ka marrë pjesë në konferencën e katërt rajonale të kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor "Bashkëpunimi me NATO-n dhe procesi i integrimit në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor", i zhvilluar në Budapest. Gjatë takimit, Topalli vuri në pak reformat e bëra nga vendi dhe mori premtimin nga Hungaria se ata do të lobojnë për Shqipërinë me qëllim që edhe ne të jemi shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Pas vizitave të realizuara nga Presidenti Topi dhe kryeparlamentarja Topalli, dje ka qenë Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta të cilët janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pas vizitave të para të zyrtarëve të lartë, pritet që axhenda e tyre të jetë e ngjeshur, duke u pasur edhe nga takime të tjera të rëndësishme. Këto takime shërbejnë për intensifikimin dhe forcimin e marrëdhënieve të mira që Shqipëria ka si me vendet fqinje ashtu edhe me shtetet e tjera. Axhenda e zgjeruar pritet të jetë edhe për ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrin Ilir Meta, por nuk mbeten pas edhe Kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe Presidenti i vendit, Bamir Topi.