Kryeministri Berisha uron Presidentin e ri të Egjiptit
Kryeministri Berisha ka uruar zotin Muhamed Morsi, me rastin e zgjedhjes President i Egjiptit. Kryeministri Berisha i dërgoi sot, një mesazh urimi Presidentit të sapozgjedhur të Egjiptit, zotit Muhamed Morsi, në të cilin e përgëzon përzemërsisht për fitoren si dhe i uron suksese në misionin e tij fisnik për ridimensionimin e rolit të Egjiptit në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë.
"I nderuar zoti President,
Me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Egjiptit mik dëshiroj që në emër timin dhe të qeverisë shqiptare t`ju përgëzoj përzemërsisht për fitoren tuaj historike dhe t`ju uroj shumë suksese në misionin tuaj të lartë e fisnik. Unë kam bindje se me votën e tyre të lirë, qytetarët e vendit tuaj mik votuan për liderin që do të shndërrojë ëndrrën e tyre për demokraci dhe prosperitetet në një realitet të vërtetë. Ata votuan për burrin e shtetit, që do të ridimensionojë rolin e Egjiptit në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë
Dy vendet dhe dy kombet tona kane një traditë të gjatë bashkëpunimi miqësor, të frytshëm dhe të gjithanshëm. Unë shfrytëzoj këtë rast t`ju siguroj ju, zoti President, për vullnetin dhe vendosmërinë time dhe të qeverisë shqiptare për të punuar ngushtë me ju, për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy kombeve dhe dy vendeve tona mike, në interesin e tyre më të mirë. Duke përfunduar, pranoni ju lutem zoti President shprehjen e konsideratës sime më të lartë dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, në kohën më të përshtatshme për ju” shprehet Kryeministri Berisha.
Rezultati zgjedhor i së dielës e shpalli fitues Mursi, me 51.73% duke mundur ish-kryeministrin e vendit Ahmend Shafiq. Liderët botërorë e kanë uruar Mursin për këtë sukses dhe Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar që Egjiptin ta kthejë në një faktor kryesor të stabilitetit rajonal.Kreu i trupit gjykues, Farouq Sultan tha se u morën në konsideratë disa nga 466 ankesat e kandidatëve por sërish rezultati i zgjedhjeve qëndron.