E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Mirdita do jete nje nga trevat me te rendesishme te prodhimit te mineraleve dhe energjise ne vend

Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve të prezantimit të alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, zhvilloi sot në mesditë një takim me qytetarë të Rrëshenit, Mirditë.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen Gjon Deda dhe Mark Ruci, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij. Mirdita, - tha Kryeministri - është një vend me pasuri të jashtëzakonshme, në ujëra dhe minerale dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve, si dhe do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se “ Unë jam sot, këtu, për t’u dhënë juve fjalën e nderit se këto katër vjet, çdo projekt që ju, me mençurinë e punën tuaj, do të hartoni e bëni me kryetarët tuaj të ardhshëm, me kryetarët e komunave, për një Rrëshen modern, Rubik modern dhe Mirditë të zhvilluar, qeveria shqiptare do ta financojë në mënyrë që këto katër vite të jenë vitet, në të cilat ne të kemi vendosur Shqipërinë, të kemi vendosur Mirditën në vendet e zhvilluara. Ne vërtet kemi vuajtur, jemi njerëz të mundimit, të sakrificave e dhimbjeve, por jemi edhe njerëz të arritjeve historike, të arritjeve të jetës së gjitsecilit dhe ju garantoj se në këtë rrugë do të ecim me shpejtësinë më të madhe. Katër vitet që vijnë, jam sot për t’ju dhënë fjalën se investimet në rrethin tuaj do të shumëfishohen dhe në këtë rreth nga Kumbulla, Mërkurthi, afër Kryelurës deri në Kaçinar, nga Fani në Kroll do të asfaltojmë çdo rrugë, do të ndërtojmë çdo shkollë e kopsht, do të ndërtojmë çdo ujësjellës e sistem kanalizimesh që ju, të dashur mirditore e mirditorë, kudo që jeni do të gëzoni infrastrukturën moderne europiane, njëlloj si në qytetet tona më të mira.
Mirdita është një vend me pasuri të jashtëzakonshme. Malet e Mirditës mbajnë në zemrën e vet rezerva kolosale të mineraleve nga floriri tek bakri e minetrale të tjera. Unë jam i bindur se ajo që është shfrytëzuar është vetëm maja e ajsbergut dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve. Mirditën, e cila është vend i pasur në ujëra, ju garantoj se në të katër anët e këtij rrethi do të ndërtojmë dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

Mirdita ka vende mahnitëse turistike. Gjatë këtyre katër viteve do të çojmë infrastukrën rrugore dhe do të ndërtojmë sëbashku Mirditën turistike. Ne po ndërtojmë infrastrukturën moderne, ne po zhvillojmë një revolucion të vërtetë industrial, ne po bëjmë gjithçka për një Shqipëri supërfuqi energjitike në rajon, për Shqipërinë, një prodhuese e rëndësishme e prodhimit industrial. Vitin që kaloi, ky vend, kjo tokë ishte e vetmja në Europë që pati rritje 63 përqind të eksporteve. Por ne të gjithë sëbshku mund të bëjmë shumë më tepër e duhet të bëjmë, në shenjë dashurie e respekti për Mirditën. Çdo pëllëmbë toke të këtij vendi të bekuar, duhet të vendosim ta qëndisim me pemë, ta shndërrojmë Mirditën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më madhështor të kontinentit europian. Zoti e ka bekuar atë dhe në çdo metër katror mund të rritet një pemë. Aroma e shija e tyre është më e mira në botë. Ndaj ju ftoj ju, qytetarëve të Rrëshenit, të Rubikut, ftoj fermerët e Mirditës kudo që janë t’i shndërrojnë katër vitet që vijnë, në vite të themelimit të Shqipërisë - kopshti më i madh në Europë. Qeveria do të financojë çdo dru frutor, fidanin e çdo druri frutor që do të mbillni. Unë ju garantoj juve dhe unë e mbaj fjalën, sapo të përfundojmë këto rrugë që duhet të përfundojmë, pasi rrugët janë jetë, janë zhvillim e çdo gjë, ashtu siç ndërtuan rrugën e kombit, do të ndërtojmë kopshtin e kombit, do ta bëjmë Shqipërinë kopshtim më të bukur.

Ju ftoj më 8 maj, votoni qytetar tuaj të parë, kandidatin e alternativës për qytetarin. Ju garantoj se sot e gjithnjë ju do të jeni në epiqendër të alternativës sonë. Ftoj mirditorët e të gjitha bindjeve të bashkohen me ne. Në shtëpinë tonë, ne ju themi bujrum, urdhëroni, jeni të respektuar, jeni të nderuar. Çdo të mirë, ne duam ta ndajmë me çdo shqiptar, çdo saktrificë duam ta bëjmë me çdo shqiptar, çdo arritje, ta gëzojmë me çdo shqiptar. 8 maji është dita juaj. 8 maji është dita, në të cilën ju vendosni për katër vitet që vijnë. Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitetet tuaja janë të parat, Mirdita është e para, Shqipëria është e para”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›