E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani Zgjedhjet policia duhet te permbushe misionin e saj

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u takua sot me drejtues të Policisë së Tiranës dhe i kërkoi atyre disiplinë dhe korrektesë të plotë për zbatimin e detyrave që ligji i ngarkon për procesin zgjedhor të 8 majit.

Gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën me drejtuesit e strukturave të policisë së Tiranës, Nishani i kërkoi drejtuesve të uniformave blu, që krahas respektimit të plotë të të drejtave të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, të garantojnë me një nivel sa më të lartë, Rendin dhe Sigurisë Publike.

Duke vlerësuar rëndësinë e trajnimit të strukturave drejtuese, si dhe shërbimeve të tjera të Policisë, që do të angazhohen me detyra në zgjedhjet e 8 Majit, ministri Nishani kërkoi nga drejtuesi më i lartë, deri tek punonjësi më i thjeshtë i Policisë së Shtetit, profesionalizëm në ushtrimin detyrës, si dhe përgjegjësinë që ata kanë, në shërbim të qytetarëve shqiptarë .

“Keni bërë një punë të shkëlqyer në këtë aspekt. Jam informuar se përgjegjësitë në lidhje me legjislacionin janë konkrete për çdo punonjës të policisë. Objektivat janë të qarta dhe transparente. Duhet të arrini standartet e kërkuara në interes të qytetarëve shqiptarë. Nga drejtuesi më i lartë e deri tek punonjësi më i thjeshtë i Policisë së Shtetit të perceptoni detyrën tuaj dhe të ushtroni përgjegjësitë tuaja në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Çdo punonjës policie të ndihet i motivuar dhe i përgjegjshëm për detyrimet që i takojnë në bazë të ligjit dhe të bëjë mekanizmin e tërë të funksionojë”.-tha Ministri Nishani.

Duke nëvizuar faktin se Ligji për Policinë e Shtetit dhe aktet normative e udhëzimet përkatëse janë në përputhje me standartet më të larta europiane e ndërkombëtare, Ministri Nishani shprehu bindjen se "Policia e Shtetit do të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e saj për procesin zgjedhor, duke çuar edhe më përpara përvojën e fituar dhe vlerësimet e marra në proceset zgjedhore të mëparshme".
Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e misioneve të asistencës policore të OSBE, PAMECA dhe ICITAP, Nishani vlerësoi arritjet e Policisë për menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike dhe për luftën kundër kriminalitetit, e në veçanti për përmbushjen me sukses të kritereve të përcaktuara në detyrat e saj për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›