E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Modeli ynë ekonomik garanton zhvillimin e vendit. Opozita kërkon të kthejë taksën e Marksit

09-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron në Shkodër përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribë, një investim i qeverisë shqiptare prej rreth 400 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribë, një investim prej rreth 400 milionë lekë.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, përfaqësues të qeverisjes vendore, Kryetari i Komunës së  Postribës e banorë të zonës.
Duke uruar banorët e kësaj zone për këtë segment kaq të rëndësishëm rrugor, Kryeministri u shpreh se kjo rrugë dhe vazhdimi i saj, nga Prekali, Kiri drejt Shoshit, do t’i japë një gjallëri të madhe, të gjithanshme, njërës prej zonave më të bukura të vendit, Parkut kombëtar të Thethit dhe gjithë Dukagjinit.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se rruga lehtëson shumë daljen e prodhimeve bujqësore të zonës, në një nga tregjet më të mëdha të vendit, siç është tregu i Shkodrës, por para së gjithash, është një kusht themelor për krijimin e vendeve të punës.
“Të gjitha reformat tona, gjithçka ne ndërmarrim, kanë si qëllim thelbësor krijimin e vendeve të punës dhe punësimin tuaj”, u shpreh Kryeministri, duke sjellë në vëmendje faktin se, pavarësisht krizës ekonomike botërore, Shqipëria vet nuk ra në krizë, falë modelit të saj të suksesshëm ekonomik dhe ajo është vendi i vetëm në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por u ul në mënyrë progresive. “Papunësia po ulet në Shqipëri, sepse modeli i saj ekonomik është model që garanton rritje ekonomike, është model që garanton rritje prodhimi, rritje tregu, sepse në Shqipëri rritet fuqishëm, në mënyrë të pandërprerë, sektori privat”, vijoi Kryeministri.
Më tej, Kryeministri theksoi se është shumë thelbësore që të mbrojmë vizionin tonë, i cili ka bërë të mundur të gjitha këto ndryshime pozitive dhe ka realizuar të gjitha reformat e suksesshme në vend, duke theksuar se “qëndrimi tjetër, ai i opozitës, është një dhe vetëm një; “Bllok-bllokim -bllokator” dhe ai çdo gjë mund të jetë, por vetëm vizion nuk mund të quhet”.

Investimi 400 milionë lekë
Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribe, është realizuar me një investim rreth 400 milionë lekë. Kjo rrugë është e gjatë 15.4 km dhe shtrihet përgjatë luginës së lumit Kir. Rruga fillon në Urën e Mesit dhe përfundon në fshatin Prekal. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë drejtpërdrejt fshatrat Domen, Drisht, Ura e Shtrenjtë, Prekal, me rreth 2000 banorë. Nga kjo rrugë përfitojnë edhe banoret e komunave Pult, Shosh, Shale, të cilët e përdorin atë për t’u lidhur me qytetin e Shkodrës. Ky segment rrugor është faza e parë e rehabilitimit të rrugës së Dukagjinit. Rikonstruksioni i plotë i saj krijon mundësi aksesi më të shpejtë drejt parkut kombëtar të Thethit, si dhe nxit zhvillimin e turizmit malor të zonës. Rehabilitimi i këtij aksi rrugor do të ndikoje dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së banoreve, duke patur parasysh që është një nga zonat më të varfra të vendit.

Segmenti rrugor i rikonstruktuar Ura e Mesit – Prekal është e gjerë 5 m, me 4 m gjerësi asfalti, si dhe bankina. Në zonat e banuara janë ndërtuar trotuare. Rruga e është e pajisur gjithashtu me sinjalistikën e duhur vertikale dhe horizontale, mure mbajtëse, mbrojtje metalike në të gjitha pjesët e rrezikshme të saj, veprat e artit, etj.
Këto ditë do të fillojnë punimet për dy rrugë të tjera në këtë zonë: Rruga Prekal – Kir, investim prej 580 milionë lekë, 13 km e gjatë dhe rruga Boge – Qafë Thore, investim prej 510 milionë lekë,  11.5  km e gjatë.

Investimet e qeverisë 2005-2012 në Qarkun e Shkodrës
Janë ndërtuar mbi 800 km rrugë kombëtare dhe rurale, duke përfshirë: 425 km rruge lokale në  komuna e bashki, 180 km rrugë kombëtare nga   Drejtoria e Rrugëve, 195 km rrugë rajonale nga  Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Janë ndërtuar e rikonstruktuar 165 shkolla e kopshte, 120 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh dhe   94 Qendra Shëndetësore e Ambulanca.  Në bujqësi, janë subvencionuar 1500 ha vreshta, ullinj, bimë are, sera, ose 30 herë më shumë së në vitet e qeverisjes së PS-së. Janë restauruar mbi 60 monumente të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror
Në fushën energjetike janë realizuar mbi 173 milionë euro investime, në përmirësimin e rrjetit elektrik, investime në sistemin energjetik, ku përfshihet veçanërisht nënstacioni i  Koplikut, Vaut të Dejës, Bushatit dhe HEC-i i Ashtës.
Numri i bizneseve të rinj është rritur mbi 2 herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8550 biznese në vitin 2012.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›