E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryker në zyrën e Ramës: Të votohet imuniteti dhe ligji për Gjykatën e Lartë

09-09-2012 / Gazeta 55

Heqja e imunitetit, reforma parlamentare dhe ajo në gjyqësor janë krejtësisht të arritshme nga ana e parlamentit. Ky ishte qëndrimi i ardhur sot nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, pasi takimit të zhvilluar në selinë rozë me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në një deklaratë për mediat pas takimit, të dy bashkëbiseduesit bënë me dije se gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe u garantua mbështetja e SHBA-së në procesin integrues të vendit.

Përpara largimit të tij nga Tirana zyrtare, Reeker ka nënvizuar dhe njëherë tjetër faktin se parlamenti ka fuqinë e tij thelbësore dhe se Washingtoni ndjek me vëmendje zhvillimet, që lidhen ngushtësisht me përgjigjen që do të japë BE në raport-progres në tetor mbi realizimin e 12 prioriteteve nga ana e vendit tonë.
“Javët e ardhshme janë të rëndësishme dhe kritike për Shqipërinë në të demonstruarit e reformave dhe seriozitetin e qëllimeve që shkojnë përtej politikës e që pasqyrojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar. Parlamenti ka në fuqinë e tij që të ndikojë në raport progresin e Komisionit Evropian. Ne besojmë se gjetja e dakordësisë për reformën parlamentare, kalimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe votimi për ndryshimet kushtetuese dhe imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm për Shqipërinë. Do të ndjekim nga afër zhvillimet këtu. Shpresojmë të shohim përparim të reformave dhe zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në mënyrë demokratike”, vuri në dukje Reeker.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›