E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Monumenti i Kavajës është historik, mjerë ai që guxon ta prekë

KAVAJE – Partia Demokratike u ndal mbrëmjen e sotme në Kavajë, ku organizoi një miting elektoral në sheshin kryesor të qytetit. Gjatë fjalës së tij përpara mbështetëse të PD-së, kryeministri Berisha reagoi ashpër në lidhje me deklaratat e kryetarit të PS-së për heqjen nga Kavaja të monumentit simbol të “dy gishtave” kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990.

“Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik, dhe po ta deklaroj mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do tu kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë”- deklaroi kryeministri.

Sipas Berishës, me deklaratat në Kavajë kundër simboleve të lirisë, kryetari i PS-së shpalli platformën e urrejtjes ndaj demokracisë.

“Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive, demokracisë, përmendores së lirisë dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit, por Kavaja të njeh mirë. Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa.”- deklaroi Berisha.

Ndërsa përmendi arritjet e viteve të fundit, kryeministri i ftoi qytetarët e Kavajës që t’i besojnë kësaj mazhorance një tjetër mandat, për të vijuar me reformat e investimet. Kryeministri premtoi në Kavajë ndërtimin e të gjitha rrugëve, në të gjitha fshatrat e rrethit, duke i siguruar banorët se brenda katër viteve që vijnë do të përfundojë edhe rruga direkte që lidh Kavajën me Tiranën.

“Vi këtu për të shpalosur para jush projektin tonë për katër vitet që vijnë, projekt që bazohet në liritë tuaja, energjitë tuaja. Për krijimin e 250 mijë vendeve pune, vendosëm të heqim çdo taksë, çdo tarifë doganore mbi çdo makineri, mbi çdo mjet që bizneseve shqiptarë do tu lypset për prodhim në Shqipëri. Votoni për Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë europiane, votoni 44 . Votoni PD, përpara drejt zhvillimit, punësimit, drejt Europës”- deklaroi kryeministri Berisha. 

Lulzim Basha: Dy gishtat e lirisë janë në zemrat e demokratëve
“Sot kemi një model, modelin e Sali Berishës dhe PD-së, i cili në themel ka zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Sot në Shqipëri kemi një infrastrukturë moderne, lëvizim të lirë në Europë, jemi anëtarë të NATO-s dhe do të hapim negociatat për anëtarësim në BE. Para nesh qëndron modeli 11-vjeçar i Ramës në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse ai kërkon të shfaqet si një nuse e re pa të shkuar. Të gjithë e keni dëgjuar Ramën të shajë Berishën për rrugët që ka ndërtuar, sot dua të ndalem vetëm tek koha që ato u kursejnë shqiptarëve. Falë rrugëve të ndërtuara nga PD, çdo shqiptari i kursehen 15 ditë në vit nga jeta e çdo shqiptari, kalon me familjen, punën miqtë dhe jo në rrugëtim. Falë rrugëve të ndërtuara nga Berisha, edhe Rama ka sot mesatarisht 3 orë më shumë në ditë për të sharë Berishën. Dy gishtat e lirisë dhe demokracisë që thyen murin famëkeq të Berlinit në Shqipëri, i kërcënoi se do t’i thyejë e do ti bëjë copa copa. Tregoi thelbin e ofertës së tij, që është dhe mbetet rilindje e bllokut komunist. Harroi se dy gishtat e lirisë dhe demokracisë janë në zemrat e demokratëve të Kavajës, shqiptarëve anembanë. Që t’i thyejë ata duhet ta fusë dorën thellë në shpirtrat tanë, në zemrat tona. Nuk ke shans, nuk do të arrish kurrë ta kthesh prapa Shqipërinë, Kavajën. Kthjellohu dhe bëhu esëll se në 23 qershor do ta marrësh përgjigjen nga Kavaja dhe e gjithë Shqipëria.”- deklaroi Basha.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Monumenti i dy gishtave, Selami: Rama fushatë me simbolet kombëtare Berisha: Alternativa jonë e punësimit bazohet në lirinë ekonomike, PS trillime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›