Fshatrat turistikë, akuza PS-qeveri për vila në bregdet
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar jo pa debate disa ndryshime në ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” ose siç njihen ndryshe fshatrat turistike. Ndonëse nisma kishte të bënte vetëm me sanksionimin e detyrimit për të paguar të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit para se të bëhet privatizimi i ndërtimeve në bregdet, opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në një debat të ashpër, duke akuzuar njëra-tjetrën se ndryshimet në fjalë i vijnë në ndihmë vetëm politikanëve që kanë blerë hyrje apo vila në këto fshatra turistikë.
Debati
I pari që ka hapur këtë debat ka qenë deputeti Ilir Beqja, i cili me anë të një pyetje provokuese i ka kërkuar ministrit Xhaferaj të japë shpjegime, nëse nga ndryshimet e bëra fitojnë ministrat e qeverisë. “Cilët nga ministrat e Qeverisë Berisha, që janë këtu, apo në kafe, përfitojnë nga ndryshimet e këtij projektligji?”, - u shpreh Beqja. Por e menjëhershme ka qenë përgjigja e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Ferdinant Xhaferaj, i cili duke iu përgjigjur politikisht ka theksuar se ndryshimet bëjnë të mundur të pastrojë padrejtësitë e bëra nga deputetët dhe qeveritë socialiste. “Ky ligj planifikon të pastrojë të gjithë llumin që u krijua para 2005, nga disa ministra të qeverisë socialiste”, - tha Xhaferaj. Ndërkohë, thuajse në të njëjtën linjë me kolegun tjetër socialist ka qenë edhe deputeti Erion Braçe, i cili duke iu referuar deklaratave të pasurisë së ministrave përkatës, ka shtruar një sërë pyetjesh për emra konkretë, nëse përfitonin apo jo nga ky ligj. “Përfiton nga ligji në fuqi, pra duke u legalizuar, madje dhe me konto, deri në 30 për qind, zonja Argita Malltezi Berisha, në deklarimin e pasurisë së të cilës, dëshmohet se disponohet një ambient i tillë në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit? Përfiton nga ky ligj, ish zv/kryeministri, Ilir Meta, ministri i Financave, ministri i Mjedisit, ministri i Mbrojtjes, ish-ministri i Bujqësisë, zoti Lufter Xhuveli, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ministri aktual i Punëve të Brendshme, të cilët në deklaratat e pasurisë kanë bërë të ditur se zotërojnë hyrje ose vila në zonat turistike?”, - u shpreh Braçe. Duke iu përmbajtur të njëjtit debat, ministri i Kulturës dhe Turizmit Ferdinand Xhaferaj është përgjigjur se i vetmi që përfiton nga ligji është kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka prona në zona turistike. “Të nderuar kolegë, duke qenë se kisha dëshirë të ngelesha tek argumentet, nuk u mora fare, dhe bëj gabim ta them, që me këtë ligj përfiton Edi Rama, që ka nga Dardha e Korçës e deri në Pezë”, - tha Xhaferaj. Nga ana tjetër, ministri i Financave ka hedhur poshtë si shpifje deklarimet e Braçes, teksa ka deklaruar se ai personalisht zotëron një hyrje në zonë plazhi, por që e ka të hipotekuar dhe me leje të dhënë nga një kryekomunar socialist.
Ndryshimet
Ndryshimet e miratuara dje në seancë plenare, në ligjin që ka si objekt të tij trajtimin e ndërtimeve në fshatrat turistikë, bëjnë të mundur që askush nga personat që kanë blerë ndërtesa apo hyrje në këto njësi ndërtimi, nuk mund t’i privatizojnë ato pa shlyer më parë të gjitha detyrimet financiare që kanë rrjedhur nga marrëdhëniet e mëparshme me shtetin, siç mund të jetë pagesa e qirasë. Me anë të kësaj nisme, bëhet e detyrueshme për çdo blerës apo person të interesuar, siç njihet në ligj, që të paguajë më parë të gjitha qiratë e papaguara që kanë rrjedhur nga ligjet e mëparshme. Gjithashtu një tjetër ndryshim i bërë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese është edhe ai për të krijuar mundësinë që në ato raste kur personat e stimuluar apo ndërtuesit e fshatrave turistikë nuk pranojnë të paguajnë 20 % e vlerës së truallit mbi të cilin është ngritur ndërtesa shtetit, atëherë për t’i dhënë zgjidhje procesit është krijuar hapësira ligjore që këtë përqindje ta paguajnë vetë personat e interesuar apo blerësit fundorë të cilët kërkojnë ta privatizojnë dhe hipotekojnë.