E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Mulliqi njeri prej koloseve me te medhenj te arteve pamore te botes shqiptare

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha mori pjesë sot, në çeljen e ekspozitës me vepra të piktorit kosovar, të gjysmës së dytë të shekullit të shekullit të XX, zotit Muslim Mulliqi, i cilësuar si piktori më i madh i Kosovës dhe themelues i shkollës së artit në Prishtinë.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha e vlerësoi piktorin Mulliqi duke thënë se ““së bashku inaugurojmë këtë një ekspozitë, me vepra të njërit prej kolosëve, më të mëdhenj të arteve pamore të botës shqiptare të të gjitha kohërave, zoti Muslim Mulliqi.
Muslim Mulliqi në jetën e tij, relativisht të shkurtër ia doli të përfaqësojë gjeninë krijuese të kombit tonë, në mënyrën më dinjitoze, më të arrirë. Ai në veprën e tij paraqiti realitetin, i cili e frymëzonte atë, paraqiti ëndrrën e tij, paraqiti qëndresën, luftën e popullit të tij, me një mjeshtëri, me një nivel artistik të pashoq.

Sot, vepra e Mulliqit paraqitet me e madhe se kurrë dhe kohërat do të bëjnë atë, gjithnjë e më të madhe, sepse një poet dhe njëkohësisht piktor i madh, ndoshta më i madhi i kombit të tij, William Blake thotë diku: Kombet rrënohen ose lulëzojnë, kur atyre ju rrënohet ose ju lulëzon poezia, piktura, muzika. Kombi qëndron dhe sot Kosova është e lirë sepse atij i lulëzon arti, muzika, letërsia dhe ne kete aspekt veprat e Muslim Mulliqit janë në kurorën e këtij lulëzimi”.

Kryeministri ftoi përfaqësuesit e institucioneve kulturore të Shqipërisë dhe të Kosovës që të intensifikojnë veprimtari të tilla, për tu bërë të njohur shqiptarëve, pasuritë e mëdha, visaret mahnitëse kulturore që ky komb disponon.

Në këtë eveniment merrnin pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, zoti Memli Krasniqi, Ministrja në detyrë e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve të Shqipërisë, zonja Suzana Turku, pedagogë dhe studentë të arteve të Kosovës, familjarë të piktorit Mulliqi, si dhe të ftuar e artdashës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›