Berisha: “NATO do të njohë arritje të rëndësishme në misionin sublim të garantimit të paqes”
Kryeministri Berisha letër urimi Sekretarit të ri të NATO-s, Rasmussen e fton për një vizitë në Tiranë. Përshëndet edhe Schefferin
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen, me rastin e marrjes së detyrës së re.
Në mesazhin e tij të urimit kryeministri Berisha shpreh bindjen e thellë se me vizionin e Rasmussen, Aleanca e Atlantikut të Veriut do të njohë arritje të reja të rëndësishme në misionin e saj sublim të paqes e sigurisë euroatlantike e më gjerë, bazuar në parimet dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.
“Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e fillimit të detyrës si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, t’ju dërgoj, në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si edhe urimet më të mira për suksese në këtë detyrë të lartë e jashtëzakonisht të rëndësishme. Qeveria shqiptare dhe unë personalisht ndajmë bindjen e thellë, se me përvojën, përkushtimin dhe vizionin tuaj, Aleanca e Atlantikut të Veriut do të njohë arritje të reja të rëndësishme në misionin e saj sublim të paqes e sigurisë euroatlantike e më gjerë, bazuar në parimet dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare”, shpreh në mesazhin e tij të urimit, kryeministri Berisha drejtuar shefit të ri të NATO-s, Rasmussen.
Kreu i qeverisë shqiptare, në përfundim të mesazhit të tij, fton Rasmussen, për një vizitë zyrtare në Tiranë.
“Do t’ju kujtojmë si mikun më të madh e më
të shquar të Shqipërisë dhe të mbarë kombit”
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha falënderoi edhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, me rastin e përfundimit me sukses të kësaj detyre. Kreu i qeverisë i përcolli urimet më të mira Schefferit dhe theksoi se shqiptarët do ta kujtojnë atë si mikun e madh të Shqipërisë që mbështeti fuqimisht realizimin e ëndrrës së kombit, për rikthim në familjen euroatlantike dhe njëherazi, për mbështetjen e pakushtëzuar në çështjen e pavarësisë së Kosovës.
“Shqiptarët do t’ju kujtojnë përherë si mikun e madh e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, që si Sekretar i Përgjithshëm u ndodh në timonin e Aleancës, mbështeti fuqishëm dhe pa realizimin e ëndrrës së kombit për rikthim në familjen euroatlantike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe ngjarjen tjetër madhore për kombin tim dhe për paqen e sigurinë në Ballkan, pavarësimin e Kosovës. Shqiptarët, qeveria shqiptare dhe unë personalisht ju mbetemi përherë mirënjohës e borxhli për kontributin tuaj”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të mesazhit të tij, kryeministri Berisha fton ish Sekretarin e NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, për një vizitë në kryeqytetin shqiptar.
“Duke ju uruar edhe një herë mbarësi për ju dhe familjen tuaj si edhe për realizimin e të gjitha planeve tuaja për të ardhmen, gjej rastin t’ju ripohoj, i dashur mik, sigurimet e konsideratës më të lartë, si edhe dëshirën time t’ju pres sërish në Tiranë në kohën më të përshtatshme për ju”.