Berisha përshëndet rotacionin në krye të NATO-s, shpreh bindjen se misioni i paqes që garanton aleanca do të vazhdojë
Kryeministri Sali Berisha ka nisur sot dy letrat përshëndetëse, dërguar sekretarit të përgjithshem të Nato-s, Rasmussen me rastin e fillimit te detyres, si dhe ish-sekretarit të përgjithshëm Scheffer me rastin e përfundimit të detyrës.
Më poshtë, publikohet edhe teksti i plotë i të dy letrave.
I nderuar Zoti Sekretar i Përgjithshëm, Rasmussen,
Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e fillimit të detyrës si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, t’ju dërgoj, në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si edhe urimet më të mira për suksese në këtë detyrë të lartë e jashtëzakonisht të rëndësishme. Qeveria shqiptare dhe unë personalisht ndajmë bindjen e thellë, se me përvojën, përkushtimin dhe vizionin tuaj, Aleanca e Atlantikut të Veriut do të njohë arritje të reja të rëndësishme në misionin e saj sublim të paqes e sigurisë euroatlantike e më gjerë, bazuar në parimet dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.
Duke ju uruar edhe njëherë për sukses të plotë dhe duke ju shprehur dëshirën time t’ju pres në Tiranë, në kohën më të përshtatshme për ju, pranoni, i dashur mik, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
I nderuar Z. Sekretar, Scheffer,
Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e përfundimit me sukses të plotë të mandatit tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të veriut, t’ju dërgoj në emrin tim e të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si edhe urimet më të mira për shëndet të plotë për ju dhe familjen tuaj. Shqiptarët do t’ju kujtojnë përherë si mikun e madh e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, që si Sekretar i Përgjithshëm u ndodh në timonin e Aleancës, mbështeti fuqishëm dhe pa realizimin e ëndrrës së kombit për rikthim në familjen euroatlantike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe ngjarjen tjetër madhore për kombin tim dhe për paqen e sigurinë në Ballkan, pavarësimin e Kosovës. Shqiptarët, qeveria shqiptare dhe unë personalisht ju mbetemi përherë mirënjohës e borxhli për kontributin tuaj.
Duke ju uruar edhe njëherë mbarësi për ju dhe familjen tuaj si edhe për realizimin e të gjitha planeve tuaja për të ardhmen, gjej rastin t’ju ripohoj, i dashur mik, sigurimet e konsideratës më të lartë, si edhe dëshirën time t’ju pres sërish në Tiranë në kohën më të përshtatshme për ju.
...