Arrestohet pas katër vjetësh, 30-vjeçari tentoi të vriste kushëririn
Gjirokastër – Një 30-vjeçar i kërkuar prej katër vjetësh u vu dje në pranga nga policia vendore. Gëzim Rizvani, 30-vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr 6. Korçë u arrestua dje në mëngjes nga policia pasi Kolegji i Gjykatës së Lartë në Tiranë më datë 26 qershor të vitit 2008, e ka dënuar atë me 5 vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes me dashje mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ngjarja për të cilën u shpall fajtor 30-vjeçari ka ndodhur më 12 nëntor të vitit 2005, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, të qytetit të Gjirokastrës, në anën e lumit Drino në banesat provizore ku rrinë disa familje rome të ardhura nga Korça. Sipas policisë ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta mes Rizvanit dhe kushëririt të parë të tij E. Q. Konflikti ka degjeneruar më pas në rrahje me grushte dhe kjo e ka detyruar Rizvanin të marrë një armë zjarri tip-Kallashnikov që e kishte në banesën e tij dhe ka qëlluar në drejtim të kushëririt t E. Q. Më pas Gëzim Rizvani ka hedhur armën në lumë dhe është larguar në drejtim të paditur. Për këtë ngjarje Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër më datën 28.09.2006, e ka dënuar 30-vjeçarin me 11 vjet burg. Por pas apelimit në Gjykatën e Apelit Gjirokastër vendimi nuk ka ndryshuar, pasi kjo gjykatë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Gjatë Apelimit në Kolegjin e Gjykatës së Lartë Tiranë, u mor vendimi për uljen e dënimit dhe ky kolegj e dënoi Rizvanin me 5 vjet burg.
Ngjarja e rëndë, plagoset te pishinat e Akuadromit 23-vjeçari
Tiranë – Një djalë ka mbetur i plagosur dje pasdite te pishinat e Akuadromit në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë. “Ngjarja ka për viktimë, 23 vjeçarin Maringlen Cani, lindur e banues në Tiranë”, -thanë për gazetën “Albania”, burime zyrtare nga Komisariati nr 2 i Policisë së kryeqytetit. Nga të dhënat e para që ka arritur të mbledhë grupi hetimor, që shkoi menjëherë në vendngjarje, Mariglen Cani ka mbetur i plagosur pasi u qëllua me një armë zjarri tip pistoletë, nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja shkaktoi panik te një numër i madh pushuesish që gjendeshin në atë moment duke pushua te pishinat e Akuadromit.
Aksidentet, Policia Rrugore e Tiranës gjobit brenda ditës 420 shoferë
Tiranë - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, filluar nga dita e sotme dhe në ditët në vijim, do të organizojnë pika kontrolli të lëvizshme në rrugët nacionale në kryeqytet si dhe në superstradën Tiranë-Durrës, me synim konstatimin dhe ndëshkimin e drejtuesve kundravajtës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur se kryesisht masa do të merren në drejtim të, ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë, përdorim i pijeve alkoolike, mos respektim të sinjalistikës rrugore, mos vendosje të rripit të sigurimit, përdorim i telefonit celulat gjatë përdorimit të mjetit, mos përdorim i kaskës mbrojtëse nga ana e drejtuesve të mjeteve motoçikleta. Ndërkohë, shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë, vetëm ditën e djeshme ka vendosur 420 masa administrative në qytet dhe 180 masa administrative për ato drejtues mjetesh që kanë qarkulluar në linja. Duke marrë shkas nga rritja e numrit të aksidenteve rrugore, Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe kërkon mbështetjen e opinionit publik, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
Tiranë, i shpërthen granata në dorë, vdes punëtori i një firme ndërtimi
Tiranë – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pak pas mesditës në Tiranë, ku një person ka gjetur vdekjen pas shpërthimit të një granate. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë kompleksit “Dinamo” në kryeqytet kur një punëtor i një firme ndërtimi i identifikuar si Ramadan Xhafa 25-vjeç, ka gjetur një granatë teksa po kryente punimet. Punëtori ka marrë në dorë granatën dhe aksidentalisht dyshohet ta ketë aktivizuar atë. Shpërthimi i granatës ka shkaktuar plagë të rënda te 25-vjeçari, i cili ka gjetur vdekjen pak minuta më pas. Forca të shumta policie ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat. Burime nga policia thanë se grupi hetimor ndodhen ende në vendin e ngjarjes dhe po merr në pyetje dëshmitarët, me qëllim zbardhjen e mekanizmit të ngjarjes.
Aksidentet rrugore, 4 të vdekur dhe pesë të plagosur
Tiranë - Katër persona humben jetën dhe pesë të tjerë u plagosën shumë rëndë në dy aksidente të ndryshme që ndodhen brenda pak orësh. Aksidenti më i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në rrugën Lezhë-Shkodër, pothuajse në hyrje të superstradës. Ora shënonte rreth orës 09:30 kur një automjet me targa të Tropojës dhe një kamion me targa të kryeqytetit janë përplasur ballë për ballë dhe për pasojë 3 persona humben jetën. Deri me tani thuhet se viktimat janë familjare por policia është duke bërë identifikimin e tyre. Në automjet ndodheshin 4 persona me mbiemër Dema nga Bajram Curri. Sipas një komunikimi me të afërmit e tyre është mësuar se në automjet, ndodhej Ermira Dema, Sali dhe Fadil Dema, të tre të vdekur, ndërsa Ermal Dema, drejtuesi i mjetit është plagosur. Ndërkohë që nga përplasja e forte është plagosur drejtuesi i kamionit. Aksidenti tjetër me pasoje vdekjen e një personi ndodhi dy ditë më parë në mbrëmje në aksin Rrogozhinë-Elbasan në vendin e quajtur Bajpas Peqin. Në aksident u përfshinë dy automjete me targa të Vlorës si dhe me targa greke. Viktima është Besnik Omeri, 41 vjeç lindur dhe banues në Vlorë, i cili ndërroi jetë sapo u dërgua në spital. Ndërkohë që tre persona te tjerë që ndodheshin në të dy mjetet u plagosën dhe po kurohen në spital.
1 Gusht 2009