Përfundon procesi zgjedhor, koalicioni i Sali Berishës shpallet unanimisht si fitues i 28 qershorit
“Aleanca e Ndryshimit”, e udhëhequr nga Sali Berisha ka marrë 70 mandate deputetësh dhe së bashku me 4 mandatet e LSI-së garanton në legjislaturën e re mbështetjen e 74 deputetëve, një shumicë që flet për stabilitet, po t’u referohesh ndryshimeve të fundit kushtetuese
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vulosur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve legjislative të 28 qershorit, duke bërë që procesi të konsiderohet plotësisht i mbyllur. Institucioni i administrimit të zgjedhjeve 34 ditë pas mbajtjes së votimit ka miratuar dje 7 me 0 rezultatin përfundimtar duke shpallur fitues koalicionin “Aleanca e ndryshimit”, i kryesuar nga PD-ja, koalicion i cili do të ketë 70 mandate në Kuvendin e ri. Ndërsa koalicioni i opozitës “Bashkimi për ndryshim” së kryesuar nga PS-ja do të ketë 66 mandate dhe koalicioni i kryesuar nga LSI-ja, “Aleanca socialiste për integrim”, do të ketë 4 mandate deputetësh
Kreu i Komisionit Qendror të zgjedhjeve Arben Ristani në një konferencë për shtyp pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, deklaroi se këto zgjedhje plotësuan standardet e vendosura. Në mënyrë të veçantë, Ristani u ndal në dy çështje kyçe të këtij procesi, atë të transparencës në numërimin e votave, përmes monitorimit me kamera dhe në votimin për herë të parë me karta identiteti.
Por kreu i KQZ-ës u ndal edhe te problematika me të cilën u përball administrata e këtij institucioni për një proces transparent, konform standardeve.
Një vlerësim nga kreu i KQZ-së ka ardhur edhe për institucionin që ai drejton. Kryetari Ristani përmendi këtu faktin se në tërësi, vendimet e KQZ-ës nuk u rrëzuan nga Kolegji Zgjedhor. Në këtë kontekst ai u dha përgjigje edhe akuzave të ngritura nga ky institucion, kryesisht nga Partia Socialiste.
Kryetari i KQZ-së Arben Ristani i quajti më të mirat dhe më konform standardeve se ndonjë herë.
“Veprimtaria e KQZ, e shprehur kjo në disa qindra vendime, është kontestuar shumë pak për të cenuar kjo vendimmarrjen e KQZ. Ky është procesi që është zhvilluar më transparenti në absolutizmin e vet gjatë gjithë zgjedhjeve të fundit që janë zhvilluar në Shqipëri dhe absolutisht duhet të keni besim se ka qenë një proces i ndershëm, i drejtë, i barabartë dhe i lirë për të gjithë. Standardet kryesore janë ato që kanë të bëjnë me lirinë e zgjedhjeve, me ndershmërinë e tyre, me barazinë e tyre dhe unë mendoj se këto janë absolutisht të arritura”, u shpreh dje për gazetarët kreu i KQZ-ës Arben Ristani.
Kreu i KQZ, foli dhe për problemet e procesit duke thënë se procesi nuk mundi t’i shpëtojë problemeve, megjithëse arritjet dhe faktin se shumë pak nga vendimet e KQZ-së u ankimuan dhe u hodhën poshtë nga kolegji zgjedhor.
“Bashkëpunimi me pushtetin vendor rezultoi jo frutdhënës, kërkohet prej tyre një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor. Subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej. Disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur. Procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej. Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor” shprehet Ristani.
Sipas vendimit të publikuar nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani rezulton se në zgjedhjet e 28 qershorit koalicioni "Aleanca e ndryshimit" ka fituar në total 712.745 vota ose 46.92 për qind që përkthehet në 70 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" ka marrë 687.484 vota ose 45.34 për qind dhe 66 mandate, ndërsa koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" është fitues i 84.707 vota ose 5.56 për qind që kthehet në 4 mandate.
Sipas deklarimit të kryetarit Ristani në përfundim të procesit në zgjedhjet e 28 qershorit kanë marrë pjesë në votim 1.519.176 zgjedhës, që votuan për 140 deputetët e ardhshëm të Kuvendit të ri të Shqipërisë.
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit morën pjesë 34 subjekte zgjedhore, të grupuara në katër koalicione, dy të djathta dhe dy të majta, përkatësisht koalicioni "Aleanca e Ndryshimit", "Poli i Lirisë", "Aleanca Socialiste për Integrim" dhe "Bashkimi për Ndryshim".
PD: Votimi 7 me 0, një tjetër standard historik, Rama të frymëzohet nga fryma konsensuale
TIRANE - Me nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Demokratike përshëndeti punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësja e selisë së PD-ës, u shpreh se votimi unanim 7 me 0 nga anëtarët e KQZ, përbën një tjetër standard të ri në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për herë të parë në 17 vitet e fundit, me një votim 7 me 0 miratoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Votimi unanim nga 7 anëtarët e KQZ-së të propozuar nga i tërë spektri politik i vendit përbën një arritje të madhe dhe një standard të ri që nuk ka ekzistuar më parë në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Partia Demokratike vlerëson këtë votim konsensual si një dëshmi e fortë e pjekurisë demokratike të institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve.
Partia Demokratike i bën thirrje që të gjitha forcat politike në vend të pranojnë rezultatin e shpallur tashmë zyrtarisht.
“Ky votim është një dëshmi tjetër madhore dhe motiv i vërtetë për pranimin e rezultatit nga të gjitha forcat politike”, tha zëdhënësja e PD-së.
Duke iu referuar qëndrimit antagonik të kryetarit pa mandat të PS-së, Edi Rama, ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Demokratike deklaron se ai duhet të frymëzohet nga bashkëpunimi luajal ndaj ligjit, e cila u pasqyrua me votimin unanim në KQZ.
“Edi Rama duhet të frymëzohet nga fryma konsensuale dhe e bashkëpunimit luajal ndaj ligjit, e bashkëpunimit të mijëra komisionerëve në qendrat e votimit dhe numërimit të votave, frymë e cila u pasqyrua tërësisht edhe me votimin unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 140 mandatet e dala nga zgjedhjet e 28 qershorit”, nënvizoi zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje koalicionin e djathtë “Aleanca e Ndryshimit” fitues të zgjedhjeve parlamentare 2009.
Anëtarët e KQZ-së, votuan në mënyrë unanime, me 7 vota ‘pro’, për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Pas certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja, PS-ja këmbëngul në mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve
TIRANE - Partia Socialiste ashti siç dhe ka mbajtur qëndrim deri më tani ka ritheksuar se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk do të njihet. Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ, ka reaguar menjëherë PS, duke e konsideruar atë si një rezultat të deformuar dhe pa standarde.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj bëri të ditur dje se, u vulos procesi i zgjedhjeve të deformuara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i vuri vulën një procesi totalisht të deformuar, proces i cili u karakterizua nga standarde të një demokracie të munguar dhe ku pushteti vendos fituesin pavarësisht vullnetit dhe votës së qytetarit”, u shpreh ai.
Gjonçaj pohoi se, PS nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor sepse ajo nuk mund të pranojë deformimin e nesërm të të gjithë institucioneve derivuese nga vota e shqiptarëve.
Sipas tij “Partia Socialiste ka identifikuar rrugët dhe mjetet politike dhe ligjore, brenda dhe jashtë vendit për të vazhduar këtë betejë, e cila nuk është thjesht beteja e një partie politike të cilës korrupsioni politik qeverisës i ka grabitur votat dhe për më tepër nuk i ka lejuar transparencën e kërkuar për votat e marra nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi, por është një betejë për të vërtetën, një betejë për Shqipërinë evropiane, një betejë për fatet e demokracisë së nesërme në vend”.
PS pavarësisht se deklaron se nuk do të njoh rezultatin ka vendosur të jetë e pranishme në Kuvend.