E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa uron në shqip: Për shumë vjet Krishtlindjet!

26-12-2011 / Gazeta 55

Mbarë Bota e krishterë kremton Krishtlindjet, Ditën e Shpresës dhe besimit te Zoti

Papa Benedikti i XVI bën thirrje për ndaljen e gjakderdhjes në Siri dhe rifillimin e dialogut të Paqes në Lindjen e Mesme

Besimtarët e krishterë festuan dje lindjen e Jezu Krishtit në çdo kishë në mbarë botën.
Urimet për një ditë të tillë janë të shumta, ku nuk mungojnë dhe ato të përfaqësuesve të besimeve fetare nga mbarë bota si dhe nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti i XVI.
Në mesditë erdhi dhe urimi në shqip i Papa Benediktit të XVI, i cili uroi besimtarët katolike në 65 gjuhë të botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!”, ishte urimi i Papës, për popullin shqiptar.
Në meshën e njohur si ‘Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin “Shën Pjetër në Vatikan”, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin.
Në mesazhin e tij Papa iu drejtua besimtarëve duke iu thënë se “Zoti është më pranë njerëzve”.
“Kjo është festa e njerëzisë dhe afërsisë e zotit më shumë më njeriun. Krishtlindjet janë rruga e dritës për të ecur përpara pa dallim feje anë e mbanë botës”, ka thënë papa në mesazhin e tij.
Papa ka bërë thirrje për paqe dhe shpresë në gjithë botën.
“Paqja duhet të mbizotërojë mes të gjithëve”, deklaroi Papa mesazhin e tij.
Papa nënvizoi se duhet të mbrohen të drejtat e njeriut.
“Le të ndriçohemi të gjithë nga të gjitha nga drita e zotit”, iu drejtua Papa mijërave besimtarëve.
Papa tha se nuk duhet të harrojmë ata që kanë nevojë për ne, por duhet t’iu gjendemi pranë për t’i ndihmuar dhe rikthyer shpresën te Zoti. Papa Benedikti XVI kritikoi në fillim të mesazhit të tij të njohur të Krishtlindjes “urbi e orbi” (“për qytetin dhe për botën”) dëshirën e njeriut për të zënë vendin e Zotit, për të vendosur se çfarë është e mirë dhe e keqe dhe për të besuar krijuesin e jetës dhe të vdekjes.
Jezu Krishti, deklaroi ai që nga ballkoni i bazilikës së Shën-Pjetrit përpara mijëra besimtarëve, u dërgua në tokë “për të na shpëtuar sidomos nga e keqja e thellë, e ngulur tek njeriu dhe në histori që është ndarja nga Zoti, krenaria dhe vetëbesimi i tepruar se po veprojmë vetë. Kjo e keqe ka të bëjë me të vënit në konkurrencë me Zotin dhe zëvendësimin e Tij, për të vendosur se çfarë është mirë dhe çfarë keq, për të qenë zoti i jetës dhe i vdekjes. Kjo është e keqja e madhe, mëkati i madh”, deklaroi ai.
Benedikti XVI kritikon vazhdimisht vullnetin e shoqërive perëndimore që nuk janë të krishtera për miratimin e ligjeve rreth temave që, sipas Vatikanit, cenojnë vlerat më të shenjta të jetës, si aborti dhe eutanazia. Kisha katolike sheh në to një formë të eugjenizmit (shën. i përkth. shkencë dhe metodë për përmirësimin e qenies njerëzore nëpërmjet manipulimeve gjenetike) të ulët dhe i kritikon këto shoqëri për vendosjen e këtyre normave në vendet në zhvillim, duke kushtëzuar ndihmën e tyre për miratimin e ligjeve të ngjashme, me një lloj neokolonializmi.
“Zoti është shpëtimtari, ne jemi ata që  janë në rrezik. Ai është mjeku, ne jemi të sëmurët. Mirënjohja është hapi i parë drejt shpëtimit, drejt daljes nga labirinti ku jemi mbyllur vetë me krenarinë tonë. Kërkimi i ndihmës së Zotit sigurisht që është rruga më e gjatë, por është ajo që respekton të vërtetën dhe është rruga jonë: rruga e pajtimit, dialogut dhe bashkëpunimit”, shtoi Joseph Ratzinger.
Papa deklaroi se, “është në një bashkim shpirtëror” në radhë të parë “me të gjithë personat të cilët jetojnë në situata shumë të vështira” dhe që duan “t’u dëgjohet zëri i atij që nuk ka zë”.
Gjithashtu, Papa u lut dje për fundin e akteve të dhunës në Siri ku është derdhur shumë gjak dhe për rifillimin e dialogut mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Në mesazhin e tij “urbi dhe orbi” (qytetit dhe botës), Benedikti XVI, duke përmendur konfliktet e tanishme në botë deklaroi se, “Dashtë Zoti të ndalojnë aktet e dhunës në Siri ku deri tani është derdhur shumë gjak”.
Ai iu lut Zotit të nxisë rifillimin e dialogut mes izraelitëve dhe palestinezëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›