E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Presim dhjetëra njohje në 2012

Zv/kryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli bën bilancin e punës së tij si lobues për njohjen e pavarësisë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli i ka dhënë një notë shumë të lartë rezultatit të punës dhe angazhimit të tij në qeveri, nga aspekti i lobimit dhe njohjeve të reja. Në një vlerësim që ai ka prezantuar para gazetarëve dhe koalicionit politik që ai përfaqëson në qeverinë aktuale, Pacolli ka thënë se janë 13 njohje që kanë ardhur si rezultat i angazhimit të tij të pandërprerë lobues dhe ka premtuar se do të ketë edhe dhjetëra njohje të reja që do të vijnë si rezultat i këtij angazhimi. Pacolli ka thënë se diplomacia e tij në shërbim të njohjeve ka sjellë si rezultat ndryshimin e qëndrimeve dhe pozicioneve të shumë shteteve ndaj Kosovës. Këtu ai ka veçuar sidomos lobimin në kontinentin e Afrikës. “Dua të them se kam luajtur një rol shumë, shumë pozitiv në shtet-formimin e Kosovës. Unë dua t’ju them se 40 për qind të kohës kam qenë në rrugë, kam qenë në aeroplan. Unë dua t’ju them se kemi 13 njohje që kanë ardhur si kontribut i kësaj dhe janë me dhjetëra njohje, të cilat i presim”, ka thënë Pacolli. “Përveç njohjeve të reja, Kosovës i nevojitet edhe një lobim për tërheqjen e investimeve nga jashtë”, ka shtuar Pacolli. Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, ai ka thënë se qeveria po e shtrin sovranitetin edhe në veri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›