E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Në 2 muaj do të përfundojmë legalizimin e ndërtimeve informate”

Kryeministri Berisha premton përfundimin e procesit

Eljona Ballhysa
“Brenda dy muajve do të përfundojmë procesin e legalizimit”. Kështu është shprehur dje kryeministri Berisha gjatë një vizitë në bashkinë e Kamzës. Kreu i qeverisë premtoi përmbylljen e një procesi që ka filluar rreth katër vjet më parë dhe që prek interesat e shumë banorëve në të gjithë vendin. Përmbyllja e procesit të legalizimeve u jep fund ndërtimeve informale në vend dhe i hap rrugën procesit të urbanizimit të zonave informale. Por ky proces, duke ligjëruar një numër të konsiderueshëm ndërtimesh informale, i bën ato pjesë të tregut duke lëvizur një numër marramendës parash, të cilat sjellin zhvillim.
Deklarata
“Një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 për qind e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100 për qind, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri dhe ju garantoj se Parlamenti, 2-3 javët e para të punës së tij, do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga qeveria”, - është shprehur kreu i qeverisë. Përfundimi i procesit të legalizimeve i hap rrugën nisjes së procesit të urbanizimit të zonave informale. Në ligjin e legalizimeve është parashikuar mënyra e urbanizimit të këtyre zonave, duke parashikuar sistemin e kanalizimeve dhe ndërtimit të rrugëve. Në ligj parashikohet se në rast se gjatë procesit të urbanizimit do të jetë e nevojshme shembja e shtëpive të legalizuara, banorët e kësaj shtëpie do të përfitojnë dëmshpërblim në bazë të vlerës së tregut. Deklaratën për mbylljen e procesit të legalizimeve kryeministri Berisha e ka bërë gjatë përurimit të disa projekteve në bashkinë e Kamzës.
Përurimet
Kryeministri Berisha përuroi dje fillimin e punimeve në rrugën Instituti Bujqësor – Bulçesh. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor, me një gjatësi prej 2.6 kilometrash, i cili lidh bashkinë e Kamzës dhe bashkinë e Tiranës me komunën e Paskuqanit, do të përmbajë edhe sistemin e rrjetit të energjisë elektrike, telefonisë, si dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Në fjalën e tij përshëndetëse për banorët e Kamzës, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria e tij do të financojë çdo projekt për modernizimin e kësaj bashkie. “Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë e madhe që festojmë sot fitoren me nisjen e punimeve në këtë rrugë, një investim prej 176 milionë lekësh, me të cilën ne ndryshojmë infrastrukturën, modernizojmë infrastrukturën tuaj dhe dua t’ju zotohem ju këtu se qeveria ime do të asfaltojë dhe sistemojë çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit tuaj. Banorët e Kamzës, Paskuqanit dhe të gjithë banorët e ardhur nga të katër anët e vendit, nga Vaqarri deri në Zall-Herr, kanë ndërtuar qytetin më të madh dhe më të bukur të vendit, dëshmi e energjisë së tyre krijuese, dëshmi e vendosmërisë së tyre për të pasur një jetë më të mirë. Ju u larguat nga vatrat tuaja për të kërkuar për vete dhe për fëmijët tuaj një jetë më të mirë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të gëzoni kushtet e jetesës së një qyteti modern, ndaj dhe infrastruktura moderne për ju, shkollat, pallati i kulturës, pallati i sportit, qendra shëndetësore, ujësjellësi, kanalizimet, energjia elektrike, këto janë linjat në të cilat ne kemi investuar dhe investojmë, deri në ndërtimin përfundimtar të një infrastrukture moderne”, - është shprehur Berisha.

Ceka: “Kthimi i parave të fushatës, ??????është e pandershme”

Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ka kundërshtuar dispozitën e Kodit Zgjedhor, sipas së cilës partitë që nuk kalojnë pragun elektoral në zgjedhje duhet të kthejnë paratë në KQZ. Sipas tij, kjo kërkesë është e pandershme, që partitë e vogla të detyrohen të kthejnë paratë e marra nga shteti për fushatën. Sipas tij, subjektet politike që nuk siguruan mandat në Legjislativin e ri, u dhuruan aleatëve të mëdhenj votat e nevojshme për disa mandate, prandaj nuk mund të penalizohen sërish. “Kjo është e pandershme, sepse ne kemi shpenzuar për fushatë dhe rezultatin tonë e ka marrë PD-ja, ashtu siç dhe nga e majta kanë shpenzuar dhe rezultatin e ka marrë PS-ja, dhe të kthesh paratë kur t’i ke dhënë kontributin e votave apo në fitoren e disa deputetëve, besoj që nuk përputhet me Kodin”, - është shprehur Ceka. Detyrimit për të kthyer paratë deri në fund të gushtit duhet t’i nënshtrohen 5 forca politike që në legjislativin aktual ishin të përfaqësuar me të paktën 2 deputetë. Më konkretisht, Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane. Të pesta këto forca duhet të kthejnë në total një shumë prej 12.7 milionë lekësh 30 ditë pas shpalljes së rezultatit. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, KQZ-ja mban shumën nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti. Paratë që do të kthejnë të vegjlit do t’u shpërndahen partive që fituan mandate. Dhe pikërisht nga të mëdhenjtë duhet të vijë zgjidhja, sipas Cekës. “Urgjentisht duhet të ndërhyjnë dy partitë e mëdha që kjo histori të mbyllet. Qoftë PD-ja, qoftë PS-ja, që përfitojnë nga këto para, se paratë që duhet të kthejmë ne i kalojnë atyre, duhet ta mbyllin çështjen, pasi ne u kemi dhënë votat”, - është shprehur Ceka. 11 forca politike, pjesëmarrëse në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2005-s, përfituan në total një fond prej 65 milionë lekësh, shumë kjo që u shpërnda sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›