E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman, Bokard, komenton zgjedhjet në Shqipëri për Dojçe Vellen



Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bokard, në një intervistë për Dojçe Vellen ka komentuar zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri si dhe situatën paszgjedhore. Bokard ka shprehur bindjen se qeveria dhe opozita do të dinë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të arritur kompromisin për reforma të mëdha për vendin. I pyetur nëse zgjedhjet e 28 qershorit i kanë plotësuar apo jo standardet e ndërkombëtarëve, Bokard është shprehur se zgjedhjet sollën progres në disa aspekte, ashtu sikurse u vërejtën dhe shkelje të ligjit. “Më 28 qershor 2009 shumica e qytetarëve të Shqipërisë ushtruan në një mënyrë dinjitoze të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur një qeveri të re. Zgjedhësit treguan një nivel të lartë pjekurie dhe përgjegjësie. Do të doja të theksoja gjithashtu se është bërë një progres i dukshëm në regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat. Nga ana tjetër, kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve që janë për të ardhur keq. Ka pasur shumë deklarime për presionin e ushtruar ndaj nëpunësve të sektorit publik apo studentëve gjatë fushatës elektorale. Vëzhguesit mund të provojnë disa prej tyre. Ka pasur deklarime edhe për abuzimin me burime të administratës, disa prej të cilave janë konfirmuar. Gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Kjo ishte më keq se në 2007-n, kur më pak se ¼ e qendrave të numërimit u kritikuan për këtë gjë. Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Përsa i përket një deklarate të përgjithshme mbi zgjedhjet jemi në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it”, - është shprehur Bokard.
Por ai shprehu bindjen se pavarësisht deklaratave të opozitës për mosnjohje të zgjedhjeve, politikanët shqiptarë do të dinë të bashkëpunojnë për reformat integruese. “Shumë nga reformat që Shqipëria ka përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament. Prandaj shpresojmë që opozita do të zgjedhë të mbajë një qëndrim konstruktiv lidhur me reformat për legjislacionin. Jam i bindur se qeveria dhe opozita mund të gjejnë zgjidhje kompromisi për shumë nga paketat e reformave e duhura”, - është shprehur ambasadori gjerman. Bokard ka dhënë garanci se Gjermania do të mbështesë liberalizimin e vizave sapo Shqipëria të përmbushë standardet e kërkuara nga BE-ja, që kanë qenë kusht për të gjitha vendet e rajonit.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›