Berisha Ne 23 qershor do fshijme nga harta bllokimin

“Ne vijmë sot si forca madhore e ndryshimit të këtij vendi, sepse Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e shndërruam në anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme të kohërave. Ne jemi ndryshimi, sepse ne jemi burrat e gratë, djemtë e vajzat që shembëm 22 vjet më parë, murin e Berlinit”.
Ky ka qenë mesazhi i përcjellë nga Kryeministri, Sali Berisha në takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.
Kështu, përmes lançimit të sloganit të kësaj force politike, kreu i mazhorancës shprehu bindjen e tij se dhë në 23 qershor qytetarët do të dinë t’i thonë ndalmurit të bllokimit të vendosur nga ana e opoitës aktuale.
“Nga kjo platformë, nga çdo vatër shqiptare, nga çdo zemër shqiptare, i themi Ramës se mezi presim 23 qershorin për të fshirë nga harta e dheut, murin e bllokimit. Ne jemi ndryshimi – përpara drejt Europës!”, deklaroi Berisha.
Madje në këtë kontekst, Kryeministri u mëshoi pikërisht dallimeve mes dy kampeve politike.
“Ne jemi ndryshimi, zoti Rama, sepse ne, me parimet që besojmë, me vlerat që mbrojmë, me përkushtimin tonë ia kemi dalë këto katër vite të kemi rritje ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit; ia kemi dalë këto katër vite të jemi i vetmi vend në rajon, në të cilin është ulur dhe jo rritur papunësia. Kurse ti i nderuar zotëri je i shkretë në ide, i varfër në mendime, je i pasur në trillime, je i pasur në mohime, je i pasur në mashtrime”, deklaroi ai.
Për këtë arsye, ai ftoi qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë betejën elektorale drejt fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Le të vazhdojmë betejën elektorale, të trokasim në çdo vatër të qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti, rrethi e qarku. Ti japim në 23 qershor bukurinë më të madhe, entuziazmin më të fuqishëm, fitores së Shqipërisë së zhvilluar, fitores së Shqipërisë europiane. Ne jemi ndryshimi - Përpara, përpara, përpara!””, vuri në dukje Berisha.