E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Berisha ishte në dasmë, jo në OKB dhe nuk i ka dalë akoma pija

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kreu i PS-së Tiranë, Saimir Tahiri ka cilësuar fjalimin e kryeministrit Berisha para deputetëve të PD-së tallës. Tahiri u shpreh se kreut të qeverisë shqiptare nuk i dha kush rëndësi gjatë qëndrimit në Nju Jork.

E patë të gjithë që Sali Berisha doli dy orë në televizor duke tallur shqiptarët me historitë e tij, nga udhëtimi në SHBA, a thua se kishte shkuar në dasmë dhe jo për një vizitë në sesionin e OKB-së. Ku për hir të së vërtetës nuk ja fërshëlleu asnjëri, përveç vizitës zyrtare, ku për protokoll marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e shteteve. E sigurt është një gjë, ne jemi i vetmi vend ku kryeministri kthehet nga jashtë dhe zapton për dy orë ekranin, a thua se nuk i ka dal akoma pija nga dasma, tha Tahiri.

Ai ka nënvizuar se PS ka bërë një propozim për të cilën shtoi ai duhet një përgjigje në interes të qytetarëve dhe të vendit, për integrimin në BE.

Tahiri ka vijuar duke thënë se tashmë është e qartë se Sali Berisha nuk e do integrimin e vendit në BE, kjo sepse duke qenë larg integrimit evropian mund të mbajë në këmbë një qeveri të paaftë dhe injorante. Pavarësisht kësaj tha ai PS është e vendosur për të ofruar alternativën evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›