E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto- Espinosa: Bashkëpunim mes dy vendeve

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto zhvilloi një vizitë zyrtare në Meksikë, ku pati takime me Minstren e Jashtme të Meksikës, Patricia Espinosa, Kryetarin e Dhomës së Senatorëve, Senatorin Jose Gonzalez Morfin, si dhe me përfaqësues të biznesit meksikan.

Gjatë bisedimeve zyrtare me Ministren e Jashtme Espinosa u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në Ballkan, si dhe bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Gjatë takimit u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit midis Akademive Diplomatike.

Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet që ekzistojnë midis dy vendeve dhe nënvizoi se ato duhet të zhvillohen më tej, si në aspektin e bashkëpunimit politik e diplomatik, për të cilat do të ndihmojë edhe Marrëveshja e nënshkruar sot, por edhe në ato ekonomike. “Nënshkrimi i këtyre dy protokolleve duhet tё pasohet me ndërmarrjen e hapave konkretë, si dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve tё reja për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve dhe heqjen e taksimit tё dyfishtë” tha Haxhinasto.

Të dy homologët ndanë tё njëjtin mendim, për forcimin e marrëdhënieve midis komuniteteve tё bizneseve tё dy vendeve, gjë e cila duhet tё konkretizohet me forume ekonomike tё përbashkëta dhe vizita tё ndёrsjella. Shqipëria, tha ai, ka potenciale të rëndësishme, akoma të pashfrytëzuara nga komuniteti i biznesit meksikan, për mё tepër ai ftoi biznesin meksikan qё tё konsiderojё Shqipërinë si portёn hyrëse për gjithë tregun e rajonit tё Ballkanit.

Ata gjithashtu diskutuan për krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit akademik dhe kulturor, mundësinë e bursave të studimit nga të dy vendet si dhe për marrjen e hapave konkretë për hartimin e Programit të Bashkëpunimit Arsimor, Kulturor dhe Sportiv për periudhën 2011-2014.

Ministrja Espinosa, shprehu kënaqësinë për pritjen e një delegacioni të këtij niveli në Meksikë, duke e konsideruar nënshkrimin e dy protokolleve tё bashkëpunimit si një moment historik nё zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ajo, shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e saj për ndjekjen e zbatimit tё këtyre marrëveshjeve, si dhe për realizimin e marrëveshjeve tё tjera me interes reciprok. Nё vazhdim, Ministrja Espinosa u shpreh se Meksika duhet tё konsiderohet si një vend mik dhe mbështetës për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Më tej, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Haxhinasto i parashtroi homologes së tij politikën e jashtme tё Shqipërisë nё rajon, e cila është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin nё Bashkimin Evropian. Ministri Haxhinasto nënvizoi se pavarësia e Kosovës, ka forcuar mё tej stabilitetin dhe integrimin rajonal, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e dhimbshëm tё luftërave nё Ballkan. Pavarësimi i Kosovës, tha ai, nuk ka qenë një akt unilateral, por në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe shënoi aktin final të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›