E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në Siri, regjimi po vret protestues të pafajshëm

Paradokset e kryeministrit Sali Berisha duket se nuk kanë të sosur. Teksa vazhdon të quajë katër viktimat dhe protestuesit e 21 janarit 2011 si kokëpalarë, ai ka lartësuar rolin e protestuesve sirianë dhe ka dënuar veprimet e qeverisë, të cilat përfunduan me vrasjen e disa protestuesve. Gjatë paradites së djeshme, kryeministri Berisha ka pritur në një takim ambasadorin e ri të Katarit në Tiranë, Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai. Gjatë këtij takimi, Berisha ka theksuar marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Katarit. Berisha ka vlerësuar marrëdhëniet aktuale dhe ka konfirmuar vullnetin e mirë të të dy vendeve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Të dy qeveritë janë angazhuar për realizimin e një sërë projektesh të rëndësishme në fushën ekonomike, sektorin e turizmit, bujqësisë, etj, të evidentuara si fusha me shumë interes për të dy vendet në takimin e Emirit të Katarit me kryeministrin Berisha gjatë vizitës së tij, vitin e kaluar, në Tiranë.

Por nga ana tjetër Berisha vlerësoi rolin e shtetit të Katarit ndaj Pranverës arabe, ndërsa theksoi se Shqipëria do të mbështesë plotësisht të gjitha nismat e ligës Arabe, Kombeve të Bashkuara dhe të çdo organizmi tjetër ndërkombëtar në ndihmë të popullit sirian, për shpëtimin e jetëve të qytetarëve civilë të pafajshëm, nga diktatura brutale al-Assad-it. Qeveria shqiptare ndjek me shqetësim atë çka po ndodh në Siri, ku regjimi i presidentit Bashar al-Assad po përdor pushtetin si licencë për të vrarë qytetaret e pafajshëm dhe popullin sirian, ka thënë Berisha. Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ashtu si dhe kryeministri Berisha në Shqipëri, i ka cilësuar protestuesit si puçistë që duan të rrëzojnë qeverinë. Në të dy vendet është autorizuar përdorimi i dhunës dhe i armëve. Protestat në Siri kanë nisur më shumë se një vit më parë dhe deri më tani janë shkaktuar zyrtarisht më shumë se 5400 viktima. Me gjithë përpjekjet e opozitës dhe ndërhyrjet e forta të ndëkombëtarëve, lideri sirian Bashar al-Assad nuk pranoi të largohet.

Topalli shtegton në vendet e nxehta

Në kulmin e krizës humanitare që ka përfshirë më shumë se 250 mijë qytetarë shqiptarë të bllokuar nga dëbora, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka nisur një tur të gjatë udhëtimesh në disa vende të botës. Edhe pse është deputetja e njërit prej qarqeve më të dëmtuar nga dëbora, e Shkodrës, Topalli ka zgjedhur të udhëtojë në vende me klimë të nxehtë. Rasti Topalli është denoncuar dje nga deputeti i opozitës, Erjon Braçe, i cili e ka cilësuar kryetaren e Parlamentit si një njeri të papërgjegjshëm. A doni të dinin çështë papërgjegjshmëria? Të quhesh Jozefina Topalli, të jesh Kryetare e Kuvendit-numri 2 i shtetit, të bësh në 8 ditë këtë itinerar: Tiranë-Athinë-Abu Dabi-Xhakarta-Stamboll-Tiranë-Berlin-Tiranë-Stamboll-Bejrut, atje është akoma. Sot mbase vjen. I gjithë turi turistiko-politik i kryer në kohën kur populli i saj është në gjendje tragjike,- tha dje deputeti socialist Erjon Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›