E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlonjati ikën nga hoteli pa paguar faturën 1500 euro

 Dashamir Biçaku

Një 33 vjeçar ka preferuar të qëndrojë si pasha në suitën e një hoteli për një javë duke shijuar çfarë i shkonte në mendje, por është arrestuar nga policia me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. I arrestuari është Skerdilajd Godo, i cili është prezantuar në recepsionin e hotelit D… si një biznesmen nga Vlora që kishte nevojë për dhomën më të mirë të mundshme. Pas një jave dhe 1500 eurove në faturë, Godo është larguar nga hoteli pa lënë asnjë gjurmë duke detyruar administratorët ti drejtohen policisë. Pas arrestimit, policia shpalli në kërkim edhe të dashurën e tij, me iniciale A. D, e cila sipas hetuesve të komisariatit nr.2, akuzohet gjithashtu për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit.

Policia tha se Godo, dhe A. D, kishin qëndruar rreth një javë në hotel, duke konsumuar veç shërbimit të hotelerisë, edhe gatime nga kuzhina e restorantit të hotelit. Ditë pas dite, sipas hetuesve, personat kishin shpenzuar nga restoranti dhe bari sasi të konsiderueshme produktesh, fatura e të cilave kapte vlerë monetare të madhe. Në total në të gjitha ditët e qëndrimit, këta të fundit kishin shpenzuar rreth 1500 euro. Ndërkaq të dielën, personat janë larguar nga hoteli, pa njoftuar. Kur punonjësit e hotelit u interesuan për të marrë objektet e shërbimit nga suita e dy njerëzve të rëndësishëm, panë se aty nuk kishte asnjë njeri. Policia mbërriti në hotelin e njohur në rrugën Muhamet Gjollesha dhe menjëherë nisi hetimin. Pak kohë pas denoncimit, policia ndaloi 33 vjeçarin Leonard Godo dhe shpalli në kërkim me të njëjtën akuzë edhe të dashurën e tij, 28 vjeçare, A. D.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›