E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në përpjekje të ndershme për mirëqenie. PS shpifje e mallkime

TIRANE – Fushata elektorale e demokratëve u ndal mbrëmjen e sotme në zonën e “Kinostudios” në Tiranë, ku zhvilloi një miting me banorët e kryeqytetit. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha theksoi vendosmërinë e demokratëve për të vijuar investimet në të gjitha lagjet e Tiranës, për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sikurse ka bërë në çdo takim tjetër në të gjithë Shqipërinë, kryeministri akuzoi socialistët për mashtrime, trillime e shpifje.

“Cila është alternativa tjetër, mashtrime, trillime sharje dhe mallkime. Por ato le ti hedhim më një anë dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to. Le t’ja lemë shokut të çlodhet në autobus. Ne le të vazhdojmë në përpjekjen tonë të ndershme për të ulur më tej taksat për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të ecur drejt Europës, për rroga më të larta, mirëqenie më të madhe, për Tiranën e ëndrrës së shqiptarëve kudo që janë, për Tiranën metropol evropian”,- u shpreh Berisha.

Kryeministri u zotua përpara banorëve të kryeqytetit, për investimin e 22 milionë dollarëve në zonën e “Kinostudios”.

“Me mbështetjen e përkushtimin tuaj ne ja dolëm të heqim vizat, të lëvizim të lirë në mbarë Europën, ja dolëm të firmosim marrëveshjen e stabilizim-asociimit, kontratën më të madhe me Europën, të meritojmë statusin kandidat dhe në fund t’i imponojmë atij që na bllokoi të miratojë 3 ligjet. Statusi na pret. Së bashku ne arritëm në kulmin e krizës të vazhdojmë rritjen ekonomike. Se bashku ja dolëm të hapim për Tiranën një kapitull të ri, kapitullin e Tiranës së shekullit 21. Ju sot këtu festoni fitoren, sepse ne jemi të vendosur që në këtë lagje në të katër anët e saj të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë, çdo shkollë , të ndërtojmë shërbimet më të mira. Qeveria ka garantuar për lagjen tuaj 1.3 miliard lekë investime dhe së bashku me bashkinë do investohen në lagjen tuaj më shumë se ç’janë investuar në të gjitha dekadat të marra së bashku. Do investohen 22 milionë dollarë”,- tha Berisha. 

Më tej kryeministri premtoi se qeveria e tij do t’i japë fund varfërisë ekstreme, që në vitin e parë të mandatit të ardhshëm.

“Jam sot këtu për tu zotuar para jush se vitin e parë të mandatit që vjen nuk do të ketë familje në Tiranë dhe as në Shqipëri në varfëri ekstreme. Nëpërmjet rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së punësimit, Shqipëria do të ndahet nga varfëria. Kjo është alternativa jonë, alternativë e faktuar me integrimin në NATO, heqjen e vizave, rritjen e pensioneve dhe rrogave, me ndërtimin e një infrastrukture moderne në Shqipëri”,- tha Berisha.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha: Rama ide arkaike, mendon se 5% e shqiptarëve do mbajnë në supe Shqipërinë Berisha: Ne flasim me vepra, nesër përfundon segmenti Ibe-Tuneli i Krrabës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›