E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Era e Rilindjes do fryjë fort në Berat, vetëm 12 ditë ju ndajnë nga e ardhmja

BERAT- Kreu i PS-së Edi Rama dhe skuadra e tij e Rilindjes kanë zhvilluar sot në Berat një miting elektoral për të kërkuar votën e këtyre qytetarëve me qëllim që era e Rilindjes të fryjë fuqishëm edhe në Berat.

“Për Rilindjen që duam për ëndrrën e qytetit të 1000 dritareve që më 23 qershor do të hapen për të futur brenda erën e Rilindjes. Era e Rilindjes do të hyjë në çdo shtëpi, në çdo rrugë, do prekë çdo fushë dhe Rilindja do vijë me restaurimin e gjithë Beratit të vjetër, me kalldrëme në çdo pjesë të Beratit, me fushat e mbjella ku do të ketë ujë në çdo parcelë. Me prodhimin që do krijojë mirëqenie dhe jo mbijetesë. Me shkollat, kopshtet dhe sheshet që do rrisin qytetarët e lirë të BE. Kundër varfërisë, papunësisë kundër taksave që i marrin frymën shtresës së mesme do të fryjë e fortë era e Rilindjes”, tha Rama.

Sipas kreut të PS-së, në qytetin e Beratit do bëhet puna që nuk është bërë në 20 vite.
“Era e Rilindjes do shkulë të keqen që e ka mbërthyer prej fyti këtë popull. Rilindja që duam do ta lidhë Beratin jo vetëm me Tiranën me një rrugë ashtu siç e meriton, por me një rrugë që do mbushet më shumë me turistë, një rrugë që nuk do ndalet këtu për të dalë tek tre urat, do jetë Berati një qendër e re ku vijnë erërat e perëndimit, era e Rilindjes do sjellë zhvillimin e ekonomisë së këtij qyteti, është e pa mundur që unë t’ju shpjegoj se çfarë fati është të gjendesh këtu dhe të shohësh atë që shikojmë nga kjo tribunë. Është tribunë e një përgjegjësie dhe privilegji të madh për t’i shërbyer gjithë njerëzve të këtij qyteti dhe qarku, nga Skrapari në Berat, në Kuçovë e në çdo fshat”, tha ai më tej.

Kryesocialisti Rama i ftoi qytetarët e Beratit të vendosin për Shqipërinë ku duan të jetojnë me votën e 23 qershorit.
“Vota e 23 qershorit nuk është një votë për të vendosur nëse do fitojë një njeri apo një tjetër, vota e 23 qershorit është një votë për të vendosur nëse do vazhdojë rrënimi apo do nisë Rilindja, për të vendosur nëse dyqanet e gjithë këtij qarku do të vuajnë, do shkatërrohen në rrugën e falimentimit, apo nëse gjithë biznesi i vogël do çlirohet nga taksa e biznesit. Nëse kujdesi shëndetësor do vazhdojë të jetë privilegj i atij që ka para apo do jetë falas për të gjithë”, shtoi ai.

Vetëm 12 ditë tha Rama më tej, e ndajnë qytetin në Beratit nga e ardhmja.
“Me votën tuaj tek numri i bekuar, numri i ditës kur Shqipëria u çlirua, çdo shqiptar do çlirojë vetveten, fshatin, qytetin dhe do hapë rrugën e Rilindjes. Nuk dua ta prish këtë mrekulli për të folur për të shkuarën që po ikën. Ju them që e ardhmja është vetëm 12 ditë larg. Unë jam sot para jush për t’ju thënë se skuadra jonë, skuadra kombëtare e rilindjes nuk është krijuar për të vazhduar avazin e vjetër të 20 viteve, po për të hapur një rrugë të re”, tha kreu i PS-së ndër të tjera.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama: 29-ta është numri i çlirimit, të çlirojmë edhe Berishën nga antiplumbi Video - Rama: Era e rilindjes do fryjë fort në Berat, vetëm 12 ditë ju ndajnë nga e ardhmja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›