Berisha: Në shesh, gjysmë milion njerëz, Rama ka përvetësuar miliona metra katrorë prona publikeNga TemaNjë ditë pas mitingut të 8 dhjetorit, kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp për të sulmuar sërish opozitën. Ai e quajti lid
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Në shesh, gjysmë milion njerëz, Rama ka përvetësuar miliona metra katrorë prona publikeNga TemaNjë ditë pas mitingut të 8 dhjetorit, kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp për të sulmuar sërish opozitën. Ai e quajti liderin e opozitës, një lider pa brekë, të lidhur me mafien.
Berisha nuk pranoi pyetje për këtë çështje dhe la pa sqaruar se përse në tribunën e mitingut nuk kishte asnjë student të Dhjetorit.
Kryeministri tha fillimisht se në shesh ishin gjysmë milion qytetarë.
“Ne u bashkuam në shesh, gjysmë milion qytetarë, si kurrë ndonjëherë, me ndjenjën e thellë të besimit të asaj që realizuam 19 vite më parë, të asaj që studentët liberatorë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, realizuan me 8 dhjetor të viti 1990. Nderuam pra veprën e tyre të madhe, nderuam kurajën, trimërinë, guximin tonë. Por në sheshin “Skënderbej” ne nuk u mblodhëm për të nderuar vetëm atë datë. Jo, ne ishim shumë në shesh, më shumë se kurrë, sepse sot ne jemi shumë, jemi më shumë se kurrë. U mblodhëm edhe për të festuar përpjekjet dhe arritjet tona 19-vjeçare. 19 vjet më parë, ne ishim djem, vajza, burra, gra, që dyert i hapëm, por rrugën nuk e dinim. Këto 19 vite, ne e mësuam rrugën duke ecur, duke udhëtuar. Por kemi kaluar një rrugë jo të lehtë, të suksesshme, për të cilën duhet të jemi krenarë”, - tha Berisha.
Më pas kryeministri sulmoi opozitën.
“Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin “Skënderbej” nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot, pas 19 vitesh, një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse, siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj. Pse kjo? Absolutisht, fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës. Por votën tuaj nuk mund ta njohë një njeri, i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij”, - tha Berisha.
“E atëherë, çfarë mendoni ju se, ky shok apo ky zotëri, do të mund të pranojë votën tuaj, do të mund të pranojë fëmijët tuaj, do të mund të pranojë familjet tuaja? Kurrën e kurrës! Ai që i mohon fëmijës së tij atësinë, ai, jo votën, por është i gatshëm t’ju mohojë ju çdo gjë. Ky pinjoll, i një babai që firmoste ekzekutimin e intelektualëve, pikërisht muajin kur shembej Muri i Berlinit, na shprehet se është krenar me trashëgiminë e tij, madje dhe kërcënon me trashëgiminë e tij.”
Duke shpërthyer në akuzat e tij, kryeministri tha se Rama ka përvetësuar miliona metra katrorë tokë.
“Unë ju ftoj ju të mos konfondoni, aty ku punoni dhe jetoni, kurrë dhe asnjëherë këtë zotëri, këtë shok, me fqinjin tuaj socialist, me të afërmin tuaj socialist, as edhe me opozitën, e cila është një vlerë morale e pakontestueshme për vendin. Pasi ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra-mijërave, në mos milionave metra katrorë troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike, sikur të ishin trashëgimi e të atit dhe jo pronë e qytetarëve shqiptarë; kauzë, e cila konsiston në shpifje dhe trillime të ulëta, të përditshme, ndaj cilitdo, në mënyrë që të krijojë përshtypjen se këtu në Shqipëri janë të gjithë të përlyer si ai. Dy vite me radhë ka sulmuar me egërsinë më të madhe familjen time, fëmijët e mi, dhe së fundmi nipat dhe mbesat e mia, duke mos u paraqitur shqiptarëve qoftë edhe dokumentin edhe më të vogël të shkeljes më minimale të ligjit, të përfitimit të pamerituar, të mospagimit të taksave, qoftë edhe një rast të vetëm. E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush, për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat apo, ata janë të ushqyer, nuk u është mohuar kafshata, janë trajtuar siç duhen të trajtojë prindi fëmijën”, - tha Berisha.
“Beteja ime nuk ka asnjë nuancë politike, pinjolli i Bllokut do marrë goditjen që meriton”
“Dhe unë dua të zotohem prapë para jush se, ky pinjoll i Bllokut nuk do të mund të luajë kurrë me vullnetin tuaj, se përpjekja e tij për të luajtur me votën tuaj dhe vullnetin tuaj do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe se çfarëdo që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s’do të mundet kurrë të bllokojë çmontimin çdo ditë të klaneve mafioze, që ai udhëheq, nxjerrjen nga kthetrat e tyre të pasurive publike që kanë përvetësuar, vendosjen e tyre para ligjit. Dhe në këtë betejë, edhe njëherë e theksoj, në mënyrë absolute, nuk do të ketë asnjë nuancë politike. Ata, të cilët vënë në dyshim karakterin jopolitik të kësaj beteje, i ftoj të paraqesin qoftë edhe dokumentin më të vogël ndaj cilitdo dhe të provojë, nëse Sali Berisha do të qëndrojë njëlloj apo jo.”
PS: Mitingu i Berishës na kushtoi katër milionë dollarë
Partia Socialiste deklaroi dje se kostoja e mitingut të organizuar nga qeveria më datë 8 dhjetor ishte afërsisht 4 milionë dollarë.
Deputeti Saimir Tahiri tha se mitingu u organizua në kulmin e fushatës kundër opozitës. Tahiri deklaroi se kostot e mitingut ishin direkte dhe indirekte.
“Partia në pushtet organizoi mitingun e radhës në kulmin e fushatës së saj të dhunës dhe denigrimit, jo vetëm ndaj opozitës, jo vetëm ndaj pushtetit vendor, por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Shqiptarët duhet të dinë se kanë paguar nga xhepat e tyre për mitingun e djeshëm të partisë në pushtet, plot 2 milionë euro.
Qeveria ka paguar për:
- Postera, printime, transport me autobusë dhe reklama në medien e shkruar dhe vizive afërsisht 1.7 milionë euro.
- Koncertin dhe fishekzjarrët, afërsisht 228.000 euro.
Përveç kësaj kostoje, që është kosto e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 milionë euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të pa-ofruara”, - tha Tahiri.
“Sot, në Ditën e Luftës kundër Korrupsionit, qeveria më korruptuar e Evropës, kryeministri që korrupsionin e ka kthyer në sistemin e ngushtë, prej të cilit përfitojnë familjarët, ministrat dhe sejmenët e pushtetit, qeveria që detyron shqiptarët t’i paguajnë me taksat e tyre edhe rrogën e ministrave të korruptuar, që detyron shqiptarët të paguajnë edhe koston e shtuar prej 300 milionë eurosh të tunelit të shembur, vodhi dje nga çdo familje shqiptare edhe 2 milionë euro të tjera vetëm për të organizuar mitingun e diktaturës qeveritare, jo mitingun e demokracisë qytetare.”
Tahiri tha se kostoja më e paktë që duhet të paguajë kryeministri, është hapja e kutive të votimit.
“Këto kosto të çmendura, që kjo qeveri dhe ky kryeministër ia nxjerr nga xhepi shqiptarëve në këtë kohë krize të thellë ekonomike, janë tërësisht të pajustifikuara, për sa kohë vihen në shërbim të partisë në pushtetet dhe kryeministrit ilegjitim në detyrë.
Kosto më e ulët për Sali Berishën dhe shqiptarët është hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Shërbimi i vetëm që mund t’i bëjë Sali Berisha Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe shtetit ligjor është të hapë kutitë dhe të garantojë leximin e drejtë dhe të saktë të vullnetit të popullit shqiptar”, - tha Tahiri.
Klosi: Qeveria shkeli disa ligje me mitingun e së martës
Deputeti socialist, Blendi Klosi, deklaroi dje se kryeministri, Sali Berisha, shkeli disa ligje me mitingun e djeshëm.
“Tentativa e Sali Berishës për të realizuar një antimiting shtetëror për të mos hapur kutitë, duke shfrytëzuar një datë të shënuar dhe historike për memorien e shqiptarëve, i kushtoi qytetarëve të këtij vendi, përveç kostove marramendëse financiare, dhe një ditë të paralizuar administrative.
Paralizoi shërbimet për qytetarët, në shkolla, në spitale, poliklinika, ambulanca, dhe në të gjitha institucionet publike.
Sali Berisha, si kryeministër i votave të vjedhura dhe kutive të mbyllura, ka shkelur dje në mënyrë flagrante Ligjin e Shërbimit Civil, dhe të gjithë legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës së administratës publike në ministri e institucione”, - tha Klosi.
“Janë shkelur dje këto ligje
- Ligji i Statusit të Nëpunësit Civil;
- Ligji i Etikës;
- Ligji për Arsimin e parauniversitar.
Është ndërprerë koha e punës në institucionet shtetërore, bashki, komuna prefektura, ministri dhe institucione të tjera të varësisë për të organizuar këtë miting;
Është shpenzuar koha e punës me qellim organizimin e mitingut;
Është përdorur prona shtetërore për organizimin e këtij mitingu (karburant, makina, banderola, deri dhe trenat e shtetit). Punonjësit e institucioneve të sipërpërmendura janë urdhëruar dhe kërcënuar për të marrë pjesë në këtë miting;
Është ndërprerë mësimi në shkolla të mesme dhe nëntëvjeçare për të organizuar pjesëmarrjen e mësuesve .
Janë përdorur nxënësit e viteve të treta dhe të katërta dhe janë sjellë në miting;
4 milionë eurove të kostove të festës, që zgjati vetëm 2 orë, dhe nuk shërbeu për asgjë tjetër, përveçse për një tribunë me dekor, nga ku Sali Berisha përdori sërish gjuhën e urrejtjes, ky kryeministër i papërgjegjshëm i shtoi dhe 4 milionë euro kosto shtesë, paga për të gjithë ata punonjës që taksapaguesit shqiptarë i paguajnë, edhe pse dje, ata nuk punuan, por u detyruan të viheshin në rresht për të shërbyer si dekori i radhës së Sali Berishës.”