E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha kërkon t’i ikë së vërtetës për zgjedhjet duke dhunuarNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, po sulmon qeverisjen vendore dhe po bën presion mbi pronat private për t’i ikur së vërtetës së

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Berisha kërkon t’i ikë së vërtetës për zgjedhjet duke dhunuarNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, po sulmon qeverisjen vendore dhe po bën presion mbi pronat private për t’i ikur së vërtetës së krimit elektoral.

“Për t’i ikur së vërtetës së kutive të mbyllura, Sali Berisha ka vënë në shënjestër Bashkinë e Tiranës dhe e ka përshkallëzuar dje sulmin barbar me një tjetër goditje kriminale, ndaj një tjetër prone private.

E ka përsëri të kotë!

Nuk i ikën dot hijes së krimit elektoral që e persekuton çdo natë dhe e hedh çdo ditë në sulmin e tij të dëshpëruar, të dëmshëm, të turpshëm, ashtu siç nuk do t’i ikë dot, herët a vonë, përballjes me paditë e kallëzimet që po regjistrohen përditë në gjykatat e në prokurorinë e këtij vendi”, - tha Rama.

Kryetari i PS përsëriti se ndaj Berishës po ngrihen shumë akuza dhe padi dhe një ditë ai do jetë i detyruar të përgjigjet para drejtësisë.

“Për të mbuluar gropën e madhe të korrupsionit ku ka rënë pushteti i tij familjar, Sali Berisha i është rikthyer armës së tij të vjetër, dosjeve të fabrikuara të korrupsionit të kundërshtarit dhe po shpërdoron turpshëm shtetin e Policinë e Shtetit, për të vënë në jetë një sulm barbar antikushtetues, antiligjor, antidemokratik, madje edhe antinjerëzor, me qëllim manipulimin e opinionit publik.

E ka fare të kotë!

Shpifjet e fyerjet e tij, sado të zhurmshme dhe të përsëritura në dhjetëra gojë ministrash e oborrtarësh të pacipë, për të lënë gjurmë në mendjen e njerëzve, nuk e mbulojnë dot gropën ku ka rënë ky pushtet i korruptuar, të cilin s’ka dhunë policore që e nxjerr dot më nga gropa, ashtu siç nuk ka gjë që e nxjerr vetë Sali Berishën pa lagur, nga gjyqet e panumërta, ku një ditë do të jetë i detyruar të provojë përpara gjykatësve akuzat e tij ose të paguajë për pavërtetësinë e tyre, pa llogaritur këtu gjyqin që populli do t’i bëjë sidoqoftë me votë, këtij njeriu që i ka dalë duarsh edhe vetvetes”, - theksoi drejtuesi i opozitës.

Rama tha se të zgjedhurit vendorë të PS janë përballë tij më të vendosur se kurrë.

“Për të spostuar vëmendjen nga kutitë e mbyllura të krimit elektoral, nga llogaria e hapur me publikun shqiptar për tërmetin e korrupsionit e të mashtrimit elektoral në tunelin e Kalimashit, nga të dhënat përditë e më rrëqethëse që lidhin qartësisht interesat ekonomike të familjes së tij me qeverisjen e vendit, Sali Berisha ka hapur një luftë primitive frontale, duke vënë në shënjestër edhe pushtetin vendor opozitar e duke asgjësuar çdo ditë Autonominë Vendore, ku të mundet, si të mundet, sa të mundet.

E ka më të kotë se kurdoherë!

Ne, të zgjedhurit vendorë të opozitës, na ka përballë më të vendosur se kurrë. I shkreti Sali, mendon se do t’ia hedhë, duke bërë sikur nuk i dëgjon shqetësimet tona të mëdha dhe në anë tjetër, duke inskenuar shfaqje të poshtra si ajo e djeshmja, ku kujton se i tregon dhëmbët kundërshtarëve përmes agresionit banditesk, ndaj një prone e sipërmarrjeje private, po ku në fakt tregon panikun alarmant që e ka mbërthyer dhe e shtyn në sjellje e veprime të dëshpëruara.

Njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara!

I them sot gjoja-kryeministrit të Shqipërisë: “Hap kutitë ose largohu!” dhe harroje se në emër të një lufte politike, që për të fshehur qëllimin e ke quajtur me tamtame “kundër mafies”, do të mund të mbijetosh në një pushtet që sillet e vepron si vetë mafia me interesat e me sipërmarrjen e lirë të këtij vendi”, - u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›