E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramën e ftoj për reforma, ai vajton për Bashkinë

TIRANË- Gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha theksoi se për opozitën vazhdojnë ofertat e bashkëpunimit për reformat, ndërsa ka ironizuar edhe librin më të fundit të kryesocialistit Rama, në titullin “Kurban”.

Sipas kryeministrit në një kohë që maxhoranca kërkon bashkëpunim nga opozita, lideri i PS-së Edi Rama gjen kohën për të shkruar një libër, që sic ironizon Berisha është një vajtim për humbjen e Bashkisë së Tiranës.

“Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, kështu duhet të titullohej libri i zotit Rama, se ka gjithnjë rikthim tek idhulli i tij “Kur lindi partia”. Libri rezulton të jetë një vaj për humbjen e Bashkisë së Tiranës, në mënyrën më interesante, për të shndërruar atë në vaj, vë në epiqendër kurbanin dhe vajton. Libri hapet me epitafin “Mbec o shok mbec tek dera e bashkisë...nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia se më iku bashkia”, ironizon më tej kryeministri.

Duke komentuar më tej, kreu i ekzekutivit shprehet se ky libër duhet të jetë një përpjekje e Ramës për të rivalizuar me Blushin.
“Kur e mora vesh, thashë se ky do të rivalizojë me Blushin, se po shkruan edhe ai. Të tentosh të rivalizosh me Blushin që ka arkivin e gjyshit sa kjo dhomë është marrëzi...Të bëjë c’të dojë unë e ftoj për reforma pastaj ai të zgjedhë c’të dojë “Mbec o shok mbec tek dera e bashkisë”, deklaroi në fund Berisha.

BERISHA: TË GATSHËM PËR REFORMËN ZGJEDHORE
Gjatë kësaj mbledhje kryeministri Berisha foli edhe për vizitën e drejtorit të Zgjerimit të KE, Stefano Sanino, ku thekson edhe njëherë gatishmërinë e mazhorancës për bërjen e reformës zgjedhore. Berisha tha se opozita është e mirëpritur të bashkëpunojë, ndërsa i tregoi asaj edhe njëherë se rruga e zgjidhjes kalon sërish nga Komisioni i Venecias.

“Kjo vizitë ishte në kuadër të ndihmës që Komisioni i jep Shqipërisë për të kapërcyer situatën. E garantova se jemi të gatshëm të ulemi në komision për Reformën Zgjedhore, që jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Komisionin e Venecias dhe OSBE-ODIHR. Opozita në këtë komision do ketë të drejtën e votës, sic ka kërkuar edhe vetë. Në kuadër të rekomandimeve jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin e opozitës dhe të partive të tjera për zgjidhjen më të mirë. Nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim. Nëse zoti Rama dëshiron le t’i ndërtojë vetë të gjitha amendimet, t’i cojë pranë Venecias, të marrë miratimin e tyre dhe le të na i dërgojë pasi jemi të sigurtë që Venecia do gjykojë me startet e BE”, shtoi Berisha.

BERISHA: PER OPOZITËN PROPOZOJ RREGULLORE SI TE E PE
Duke folur për rregulloren e Parlamentit Berisha tha se i propozon opozitës një rregullore si ajo e Parlamentit Europian.
“Për rregulloren e parlamentit jemi të gatshëm të fillojmë punën bazuar në rekomandimet dhe rregulloren e Parlamentit Europian”, tha ai.
(m.Arapi/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha: Ramën e ftoj për reforma, ai vajton për Bashkinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›