E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Negociata PD-PR për legalizimet

Partia Demokratike shprehet e gatshme për të negociuar me Partinë Republikane mbi ligjin e legalizimeve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije nisjen e negociatave mes PD-së dhe PR-së për ligjin e parë të kthyer nga Presidenti i Republikës. Përçarja e një pjese të mirë të koalicionit të djathtë detyron Kryeministrin Berisha të hyjë në negociata me republikanët për shkak se kalimi i dytë në Kuvend kërkon një numër të caktuar deputetësh pro këtij ligji, pra 71 vota.

"Natyrisht, si në çdo rast, do të ketë negociata intensive, para se dekreti të shkojë në Kuvend. Kjo është një praktikë e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme. As ky dekret nuk mund të dalë jashtë kësaj praktike", tha Berisha. "Unë dua t‘ju siguroj se do të merret për bazë çdo gjë thelbësore, pra jo vetëm sugjerimet e Presidentit, por edhe të atyre me të cilët do të negociohet", tha ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›