Konflikti PD-PDK, Ndoka e shkarkon nga drejtor spitali, Berisha e emëron prefekt
“Mendoj se të gjithë e kemi detyrë primare të vazhdojmë reformat dhe të forcojmë administratën publike, si instrument thelbësor i të drejtës publike për t’u shërbyer qytetarëve. Prioritetet e qeverisë shqiptare janë që Shqipëria të bëhet një shtet evropian. Gjej rastin të them se kjo klimë e mirë bashkëpunimi mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore është më e mira në këto 17 vjet pluralizëm”, - tha zv.ministri Pone.
“Në çdo rast dhe në çdo gjë, - vijoi ai, - ju duhet të niseni nga zbatimi rigoroz dhe korrekt i ligjit, si dhe nga shërbimi me efikasitet duke vendosur qytetarin në qendër të vëmendjes”.
Ndërsa prefekti, Rezart Kovaçi, i liruar nga kjo detyrë, ka uruar prefektin e ri të qarkut, si dhe ka falënderuar bashkëpunimin me administratën e prefekturës, si dhe me të gjithë kryetarët e qeverisjes vendore dhe drejtorët me vartësi vertikale në qarkun e Elbasanit.
Ndërkaq, prefekti i sapoemëruar në fjalën e tij përshëndetëse ka deklaruar:
“Falënderim i shpreh PD së Elbasanit dhe kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, për respektin që ka treguar për personin tim, duke më ngarkuar një detyrë kaq të rëndësishme. Të qenit prefekt i qarkut është nder, si dhe një detyrë e vështirë, pasi qarku i Elbasanit ka një shtrirje të madhe dhe me shumë probleme. Unë do të përpiqem me forcat e mia për ta justifikuar këtë vend me qëllim që ta çoj punën përpara”, - përfundoi Deliallisi.