Panariti takon ambasadorët e BE në Tiranë – diskutime rreth integrimit të Shqipërisë
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, zhvilloi sot një takim pune me ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
Duke e marrë fjalën, Ministri Panariti informoi mbi takimet që zhvilloi me Komisionerin për Zgjerimin, z. Stefan Fyle dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Parlamentit Evropian, gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Ministri Panariti theksoi se, i njohu ata me ecurinë e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, si dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të plotësuar sa më shpejt edhe detyrimet e tjera që kanë mbetur. Ministri Panariti vuri në dukje mesazhin që iu përcoll gjatë takimeve nga ana e zyrtarëve të lartë evropianë, i cili kishte të bënte me nevojën e angazhimit të të gjitha forcave politike në drejtim të përshpejtimit të ritmit të reformave në vend çka çon drejt plotësimit të kërkesave për marrjen e statusit. Në të gjitha takimet e zhvilluara është nënvizuar dhe vlerësuar roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe progresi në marrëdhëniet me vendet fqinje.
Ambasadorët, nga ana e tyre, shprehën vlerësimin për ecurinë e deritanishme të reformave në vend. Ata vunë në dukje rëndësinë që merr në këtë fazë bashkëpunimi intensiv midis forcave politike për të plotësuar detyrimet në kuadër të përmbushjes së 12 Prioriteteve, para publikimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Kjo arritje e të gjithë forcave politike në Shqipëri do të çoj në marrjen e statusit të vendit kandidat, u shprehën ata.