E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nga 1 Korriku rritje të madhe pagave dhe pensioneve

TIRANE-Qeveria do të realizojë rritje të rrogave dhe pensioneve duke nisur nga fillimi i muajit Korrik, deklaroi sot gjatë mbledhjes së qeverisë Sali Berisha.
“Nga1 Korriku, 820 mije punonjës të administratës e pensionistë do të përfitojnë rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve”, u shpreh Berisha, duke shtuar se “rritja e rrogave dhe pensioneve është më e madhja e bërë ndonjëherë”.
Sipas kryeministrit, ky vendim i qeverisë shqiptare vjen në një kohë kur në Evropë e Botë po bëhet e kundërta ulja e masave të pensioneve dhe pagave në kuadër të krizës që i ka kapluar këto vende.
“Rritja e rrogave dhe pensioneve është në kundërrjedhje me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të europës, por dhe të botës. Këto qeveri kanë ulur ndjeshëm rrogat, kanë ngrirë pensionet dhe kanë hequr të gjithë stimujt e tjerë në masën 75 -100 për qind. E gjitha kjo është diktuar tërësisht nga kriza ekonomike", tha Kryeministri Berisha.

Edhe pse ekonomia shqiptare është pjesë e ekonomisë globale, Kreu i Qeverisë shtoi se në ndryshim nga ekonomitë e vendeve të tjera, në Shqipëri janë rritur ndjeshëm në vlerë eksportet "Made in Albania".
"Eksportet pothuajse janë trefishur në vlerë, pasi në 5 muajt e parë të vitit që shkoi janë eksportuar gjithsej mallra 'Made in Albania' 11 miliardë lekë nga të cilat 1.2 apo 1. 3 miliardë lekë nga energjia. Ndërsa, në 5 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar mallra 'Made in Albania' 30 miliardë lekë, pra 3 herë më shumë dhe nga këto 7 miliardë lekë janë nga energjia. Në total kemi një rritje të eksporteve me të paktën 140 për qind", tha Kryeministri Berisha.
Kjo rritje e madhe e eksporteve, sipas Kryeministrit Berisha, "është një investim shumë i madh në këtë vend, pasi sektori i industrisë së eksporteve është sektori kryesor i punësimit në industrinë e vendit".

Ai theksoi se "jashtëzakonisht pozitiv është trendi i inflacionit që ra muajin që shkoi me 1.2 për qind". "Kur ka ardhur në pushtet kjo qeveri ka gjetur një borxh prej 72 për qind të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa sot ky vend ka një borxh me 59 për qind. Kemi gjetur një defiçit buxhetor me 7.9 për qind, ndërsa këtë vit po ecim drejt një defiçiti buxhetor nën 4 për qind", tha Kryeministri Berisha.

Ai ftoi opozitën t'i marrë të gjithë treguesit ekonomik mbi borxhin e vendit apo deficitin buxhetor, pasi gjithçka është transparente". "Në mënyrën më të papërgjegjshme çdo ditë shpifet dhe trillohet me shifra të paqena, duke deklaruar se është rritur me 860 për qind huamarrja", tha Kryeministri Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›