Berisha: Një kauzë e elitës është kauzë e parefuzueshme, na pëlqen apo s’na pëlqen Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të grupit Parlamentar Demokrat

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, apeloi sot ndaj kreut të opozitës shqiptare, Edi Rama, që të kërkojë falje publike atyre qindra e qindra intelektualëve që i ka etiketuar me epitete të padenja. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit Parlamentar Demokrat, Berisha vlerësoi se këta intelektualë, me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe intelektuale, mbështesin dhe kontribuojnë në mënyrë thelbësore në projektin evropian të Shqipërisë. “I pavdekshmi Fulbright thotë: Kur elita ngre çështjen, qeveria nuk mund të refuzojë! Një kauzë e elitës është kauzë e parefuzueshme, na pëlqen apo nuk na pëlqen ne. Mbi ç’bazë i lejon vetes ti fyesh? Unë shpresoj të jetë dëshpërimi, sepse ka edhe mekanizma të tjerë”, u shpreh kreu i mazhorancës. Sipas tij, elita sulmohet në të gjitha ato raste kur tjetri mendon se injoranca e tij vlen më shumë se vlerat dhe dija e tyre. Ai tha kjo është fatale. “Kjo elitë ka një specifikë dhe ki shumë kujdes. Këta nuk janë njerëz që kërkojnë leje ndërtimi, këta nuk kërkojnë troje, këta nuk drejtojnë sipërmarrje të mëdha apo kompani ndërtimi. Këta kanë fletën e letrës dhe mjetet për të shkruar mbi të; kanë penelin për të derdhur gjeninë krijuese në kanavacë, në beze apo në letër”, vijoi Berisha. Sipas tij, ata kanë pëlhurat, instrumentet, partiturat, librat, stetoskopin, mjetet.