E Diel, 1 Nëntor 2026

Hana: Niveli i derdhjes së kontributeve shëndetësore nga qytetarët është i ulët Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Elvana Hana

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore, Elvana Hana, tha se edhe pse buxheti i shtetit është rritur përsa i përket financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore nga viti në vit, sërish niveli i derdhjes së kontributeve nga qytetarët është i ulët. Gjatë fjalës së mbajtur në një takim të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ajo tha gjithashtu se ulja e kontributeve ka sjellë një pengesë në reformimin e sistemit shëndetësor. “Në vitin 2006 ka pasur një rritje pak më domethënëse, për shkak edhe të politikave të reja të qeverisë, megjithatë masa e kontributit ngelet gjithmonë e vogël në mënyrë që të kemi një rritje më të rëndësishme përsa i përket kontributeve të sigurimeve shëndetësore”, sqaroi Hana. Sipas saj, në 2009 u përfshinë edhe spitalet, çka tregon atë hopin në financim. Ajo tha se është një hop cilësor që janë rritur fondet, por janë kalime fondesh nga ministria e Shëndetësisë tek Instituti i Sigurimeve Shëndetësore. “Shëndetësia është në një gjendje mjaft të vështirë, në qoftë se do ta krahasojmë atë në vendet rreth e qark. Në mënyrë që ne të mund të financojmë një shëndetësi kontemporane duhet edhe financimi të jetë siç është në vendet e rajonit”, theksoi Hana.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›