E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Një kundërshtar më tha se udhëtova kudo për të gjetur rrugë të paasfaltuara, por nuk gjeta

Share

Berisha inauguron terminalin e portit të Durrësit: Po ecim me shpejtësi më të madhe se çdo vend tjetër

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në inaugurimin e terminalit të ri i pasagjerëve në Portin e Durrësit. Në ceremoninë e rastit morën pjesë edhe Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu, deputetë të qarkut të Durrësit, përfaqësues të pushtetit vendor, punonjës të kompanisë ndërtuese, punonjës të Portit të Durrësit.

Terminali është një investim me vlerë rreth 21.9 milion euro. Terminali është projektuar për ti shërbyer 1.2 deri në 1,5 milion pasagjerëve në vit, 200 mijë autoveturave dhe rreth 60 mijë kamionëve. Ai ka 65 mijë m2 sheshe, 25 mijë m2 ndërtime, 4500 m2 godina të pasagjerëve, 10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për pasagjerët me autovetura, 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionët.

Ne inauguruam së bashku terminalin e ri të pasagjerëve, ndërtim me një vlerë prej 21 milion euro, i arkitekturës dhe teknologjisë së standardeve më të larta, ndërtim i cili përbën një portë moderne për këtë Port mijëravjeçar. Së bashku me aeroportin e Rinasit, Terminali i ri i pasagjerëve të portit të Durrësit janë dy hyrjet më të bukura, janë  pasaportat më moderne të Shqipërisë. Ky terminal me një kapacitet prej rreth 1 milion e 500 mijë pasagjerë iu ofron atyre shërbimet më të shpejta, më të mira, më të qytetëruara, më dinjitoze. Ky terminal përbën gjithashtu paraqitjen më të mirë të këtij qyteti të mrekullueshëm, deklaroi kryeministri.

Kryeministri tha se Shqipëria po ecën me shpejtësi më të madhe se ccdo vend tjetër.

Shqipëria po ecën, natyrisht jo në një bulevard, por e vërteta është se ecën me shpejtësinë më të madhe se çdo vend tjetër. Të dhënat e fundit të institucioneve të ndërkombëtare faktojnë se ky është vendi i vetëm në rajon, në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit këto vite të krizës evropiane, por ajo pësoi një ulje progresive nga viti në vit dhe kjo ulje është rezultat para së gjithash i inkurajimit, nxitjes së klimës miqësore për biznesin dhe investimet. Por kjo ulje është rezultat gjithashtu i investimeve më të mëdha publike të bëra ndonjëherë në historinë e vendit, tha Berisha.

Sot anembanë vendit janë në ndërtim dhe ne përfundim mijëra kilometra rrugë. Një kundërshtar i yni do të thoshte se udhëtova kudo për të gjetur rrugë të paasfaltuara, por nuk gjeta. Natyrisht ka rrugë të paasfaltuara, por e vërteta është që ato po pakëson çdo ditë dhe ne do ti asfaltojmë kilometër pas kilometri të gjithë rrugët tona, aty ku janë.

Kjo është alternativa jonë, është alternative jo e fjalëve por është alternative  e terminalit, është alternativa e autostradave, e Shqipërisë në moshën dixhitale, alternativa e shërbimeve dixhitale, alternativa e rrugëve të asfaltuara kudo, alternativa e shkëputjes së Shqipërisë nga gropat septike, alternativa e zhvillimit të bujqësisë shqiptare, alternativa e thithjes së investimeve të huaja, për tre vjet resht, mbi 1 miliard dollarë. Kemi përballë nesh alternativën e nihilizmit. Qëndrimi i opozitës të rikujton qëndrimet e partisë së origjinës së saj, e cila mohonte çdo gjë të kapitalizmit të vendeve të tjera, mohonte çdo gjë të sistemit të lirë, por e vërteta është se ne jemi të vendosur dhe këto që ne kemi realizuar këtë mandat do të bëjmë që mandatin tjetër ti harrojnë qytetarët shqiptare me ato që ne do të bëjmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›