Berisha: Nuk do lejoj vazhdimin e puçit

Kryeministri Berisha e akuzoi opozitën se me pretekstin se zgjedhjet ishin manipuluar kërkoi që me demonstratën e 21 janarit të rrëzonte qeverinë legjitime.
Në një takim me gjeneralët e ushtrisë në ministrinë e mbrojtjes kryeministri Berisha bëri sërish përgjegjës kreun e PS-së Rama për demonstratën e dhunshme të 21 janarit.
“Rama gjeti si pretekst zgjedhjet për të ardhur në zgjidhjen finale atë të demonstratës theksoi Berisha duke shtuar edhe njëherë se zgjedhjet e 28 qershorit ishin nga më të mirat dhe më transparentet.
Gjithashtu Berisha duke iu referuar sërish demonstratës së dhunshme theksoi se çdo opozita kishte paguar elementët të veçantë për të shkaktuar trazirat dhe për të marrë pushtetin me dhunë.
“Për 5 orë një kryeministër i zgjedhur nga populli rrethohet në detyrë nga grupe kriminelësh, trafikantësh që të gjithë të paguar. Ata ishin të stërvitur javë më parë dhe kishin plan të hollësishëm sulmi” theksoi Berisha duke shtuar se dyshohet se kishte edhe të infilruar edhe nga ndonjë vend tjetër.
Kryeministri Sali Berisha gjithashtu ka përmendur dhe disa nga urdhrat që sipas tij kishin marrë demonstruesit për marrjen e kryeministrisë të cilata kishin ardhur nga godina përballë kryeministrisë ku qëndronin drejtuesit e opozitës dhe organizonin sulm.
“Sulm, ecni, futini brenda, mos kini frikë, mos u trembni nga krismat se janë fishek manovër, mos u tërhiqni, mos u tërhiqni. Tu çojmë kallash se porta u hap”, tha Berisha duke cituar disa prej urdhrave të drejtuesve të opozitës.
Gjithashtu Berisha ka shtuar më tej se do vazhdojë të mbrojë institucionet, duke theksuar se nuk do të lejojë vazhdimin e “pucit”.