E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Marty-t, shtohen 10 amendamente shqiptare

Kur pritet që gjatë ditës së sotme të mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të votuar raportin e hartuar nga Dick Marty, burime konfidenciale për MAPO-n bëjnë të ditur se delegacioni shqiptar ka arritur disa rezultate pozitive në planin e tyre për të rrëzuar këtë raport. Mësohet se gjatë mbledhjes së djeshme të grupeve parlamentare të Asamblesë së KiE-së është kritikuar ashpër nga një numër i madh deputetësh raporti i zviceranit, duke u shprehur skeptikë në lidhje me vërtetësinë e këtij raporti. Referuar të njëjtave burime, bëhet e ditur se delegacioni shqiptar ka marrë mbështetjen e disa shteteve për të rrëzuar këtë raport, në të cilin flitet për trafik organesh nga eksponentët e UÇK-së, trafik ky i kryer në disa shtëpi në veri të Shqipërisë. Ndërkohë, përsa i përket amendamenteve të cilat do të shtohen, MAPO zbulon se do të jenë 8 deri në 10 amendamente, të cilat do të propozohen nga delegacioni shqiptar i KiE dhe do të votohen nga ana e Asamblesë Parlamentare. Gjatë gjithë kësaj kohe përfaqësuesit e delegacionit shqiptar kanë lobuar fuqishëm pranë deputetëve të KiE-së, duke u paraqitur atyre fakte të cilat hedhin poshtë pretendimet e Dick Marty-t për trafik organesh dhe për një sërë akuzash të tjera të ngritura ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›