E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq “hap” probleme në portet e Durrësit e Vlorës

DURRËS-VLORË-Rrethi i Durrësit është përfshirë nga moti i keq dhe reshjet e shiut, që vazhdojnë thuajse pa ndërprerje nga mbrëmja e ditës së enjte, duke shkaktuar disa probleme në portin detar dhe rrugët e qytetit. Situata problematike dhe në Vlorë nga ky mësohet se stuhia që përfshiu kanalin e Otrantos nuk lejoi kalimin e trageteve.

Burime nga kapiteneria e portit detar të Durrësit bënë të ditur se "deti i trazuar për shkak të motit të keq, nuk ka penguar nisjen e trageteve nga Durrësi, ndërkohë që sot paradite parashikohen vonesa të trageteve që mbërrijnë nga porti i Barit (Itali)". Ndërkaq nga porti italian është mësuar se tragetet që janë nisur mbrëmë nga Durrësi kanë mbërritur në kohë në Bari
Sipas burimeve, reshjet e shiut po pengojnë përpunimin e anijeve me mallra, ndërsa ka vazhduar normalisht shkarkimi i kontejnerëve.
"Motopeshkatoret dhe anijet e tonazhit të vogël dhe të mesëm nuk do të lejohet të dalin nga porti për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar me forcë 6-7 ballë" thanë burimet, duke shtuar se "sot paradite do të ketë vonesa në mbërritjen e katër trageteve që janë nisur mbrëmjen e kaluar nga porti i Barit.
Deti me forcë 6-7 ballë dhe era që fryn nga juglindja pritet të ndryshojnë drejtim nga veriu gjatë 24 orëve të ardhshme, duke përmirsuar edhe kushtet detare.

Ndërkohë, reshjet e shiut kanë bllokuar për disa orë radhazi disa nga kryqëzimet dhe rrugët kryesore të qytetit bregdetar. Sheshi pranë stacionit hekurudhor, rruga “Taulantia” dhe disa segmente të rrugës “Aleksandër Goga” mbrëmjen e vonë të së enjtes ishin të pakalueshme nga automjetet dhe kalimtarët.
Vështirësi në qarkullim ka patur edhe në disa nga rrugët e lagjeve periferie të Plazhit dhe Shkozetit.

Edhe në Vlorë moti i keq, i shoqëruar me erë të fortë, që ka përfshirë bregdetin dhe gjithë hapësirën detare të Kanalit të Otrantos prej mbrëmjes të së enjtes, ka pezulluar lundrimin e trageteve që përshkojnë linjën Brindisi-Vlorë. Ndërkohë, në portin detar të këtij qyteti puna është ndërprerë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga tha se "dy tragetet, që përshkojnë këtë linjë, nuk janë nisur mbrëmë nga porti i Brindisit për shkak të erës së fortë deri në 35 m/sek dhe detit me dallgë deri në 7-8 ballë”.
Sipas tij, aktualisht është pezulluar edhe lëvizja e mjeteve lundruese, ndërkohë që katër të tilla me flamuj të shteteve të ndryshme, janë strehuar në gjirin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›