E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i KE në Tiranë, Lohan viziton Veriun e Shqipërisë

TIRANË- Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan, nisi dje një tur dyditor në zonën veriore të vendit, ku do të ndjekë nga afër projektet e financuara nga Komisioni Evropian.
Zyra e shtypit e KE-së në Tiranë njoftoi se gjatë vizitave të tij, Ambasadori Lohan do t'u kushtojë vëmendje komuniteteve lokale, në mënyrë që të marrë përshtypjet e tyre dhe të diskutojë me ta mbi ndikimin e këtyre projekteve në fusha të ndryshme, si pastrimi i mjedisit, infrastruktura gjyqësore dhe administrative, menaxhimi i kufijve, etj.

Gjatë turit të tij në Veri, Ambasadori i KE-së do të vizitojë disa qytete, ku Komisioni Europian ka financuar projekte në fusha të ndryshme, si në Rubik, në Burrel, etj.
Ndërsa në ndalesën në qytetin e Peshkopisë, z. Lohan do të vizitojë Gjykatën e rindërtuar të Rrethit, Zyrën e Regjistrimit të Pronave, si dhe Zyrën e Gjendjes Civile.
Në të gjitha këto objekte zyra e KE-së ka financuar projekte që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së punës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›