Reforma zgjedhore, ekspertë të Venecias sot në Tiranë
TIRANË Një delegacion i Komisionit të Venecias, i përbërë nga ekspertë të pavarur ligjorë, se bashku me ekspertë nga zyra e OSBE-së do të jenë sot në Tiranë për të diskutuar për reformën zgjedhore dhe përmirësimin e praktikave elektorale. Axhenda e tyre parashikon takime me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe përfaqësues të tjerë të forcave politike nga opozita. Delegacioni i kryesuar nga 8 veta do të zhvillojë një konferencë për shtyp nesër në mesditë. Një pjesë e këtij grupi ka mbërritur në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër pritet të plotësojë ekipin gjatë paradites së sotme. Vizita lidhet me hartimin e një draft-opinioni që pritet të hidhet për votim në muajin dhjetor, në një nga seancat e Komisionit të Venecias. Pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, Thorbjorn Jagland, më 24 gusht 2011 i kërkoi opinion Komisionit të Venecias për ndryshimet që duhen bërë në legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në Shqipëri, me qëllim shmangien e problemeve të evidentuara jo vetëm në zgjedhjet lokale por edhe në ato parlamentare të 2009-ës.