Berisha: Nuk e kam fyer Gonzaton, i kërkoj ambasadorit direktivën e BE për ligjin e barazisë gjinore

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se nuk ka bërë asnjë fyerje ndaj ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato.
Më herët në Kuvend, Berisha, duke folur për projektligjin “Për barazinë gjinore”, tha sot se në asnjë nen të direktivës evropiane nuk bëhet fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, as për identitete gjinore me spektër të gjerë.
“I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë. T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016”, tha Berisha.
Pas kësaj deklarate reagoi edhe Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, duke e cilësuar këtë deklaratë si sulm, ndërsa theksoi se sulme të tilla janë të papranueshme.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, thekson Kos, në rrjetin social X.
Duke marrë fjalën sërish në Kuvend, Berisha tha se ka kërkuar nga ky Parlament, dhe jashtë tij, nga ambasadori Gonzato, të tregojë se cilën direktivë, të BE-së
“Kam kërkuar nga ky parlament, dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë se cilën direktivë, se ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Plotësisht dakord. Por përsëri, cila direktivë e BE? BE funksionon me direktiva. Cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore? Ta shoh, ta di, sepse ekspertë të shquar që unë njoh, më kanë konfirmuar se asnjëra nga direktivat e BE nuk kanë këtë terminologji, por janë që të gjitha në binaritet, flasin për burrin dhe gruan”, deklaroi Berisha.
Berisha theksoi se çdo lloj interpretimi sui generis është problemi i atij që e bën.
“Por unë përsëri dhe përsëri deklaroj këtu se jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekjeje për të riformatuar antropologjinë njerëzore, binaritetin e gjinisë, Kushtetutën e Shqipërisë, kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues të Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD-së.
/a.f/r.e/