E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali: Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedent ndaj ambasadorit të BE-së

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.

Spiropali u shpreh në një reagim në rrjetin social X, “tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedentë ndaj ambasadorit të BE-së dhe ndaj vlerave të BE-së në Parlament ditën e sotme”.

Spiropali theksoi se, “normalizimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve në lidhje me Ligjin jetik për Barazinë Gjinore është krejtësisht i papranueshëm”.

Spiropali u shpreh se, qeveria shqiptare dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga retorika dhe qëndrime të tilla.

“Sot, është rasti të përsërisim edhe një herë me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë thelbësor për të ngushtuar në Zero hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat”, tha Spiropali.

Edhe Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, reagoi sot për deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.

Kos u shpreh se sulme të tilla janë të papranueshme.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, theksoi Kos, në një reagim në rrjetin social X.

Sot në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha tha se ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projektligjit për barazinë gjinore.

Berisha shtoi se, Gonzato nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e tij personale.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›